Sport

Fitorja ndaj Barcelonës caktoi rrugëtimin e Interit

Inter - Serie A - Liga e Kampioneve

Kur Interi nisi fushatën në Ligën e Kampionëve me humbje në shtëpi ndaj Bayern Munichut, pakkush do ta kishte imagjinuar se tetë muaj më vonë ekipi nga Serie A do të ishte në prag të finales së parë në më shumë se një dekadë. Por, kjo është situata në të cilën ndodhet Interi, i cili të martën mbrëma luan ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Championsit. Interi është në avantazh 2:0 pasi mposhti rivalin e qytetit, Milanin, me këtë rezultat në duelin e parë, javën e kaluar.

Në shtator të vitit të shkuar dukej e pamundur që Interi të kalonte edhe fazën e grupeve. Skuadra e trajnerit Simone Inzaghi sapo kishte humbur 2:0 në shtëpi nga Bayerni, i cili ishte favorit për t'u kualifikuar nga grupi së bashku me Barcelonën. Por Interi arriti të mposhtte Barcelonën 1:0 në shtëpi dhe të barazonte 3:3 në Spanjë për të avancuar tutje.

Dhe ishin ato ndeshje që ia dhanë Interit besimin se mund të luftonte për titullin e parë evropian qëkur fitoi ligën, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve nën drejtimin e Jose Mourinhos në vitin 2010.

“Ne punojmë së bashku shtatë ditë në javë, kemi kaluar momente të vështira dhe puna për të arritur deri në prag të finales është e gjithë stafit, pasi kalojmë orë të tëra të mbyllur në zyrë”, tha ndihmëstrajneri i Interit, Massimiliano Farris.

“Simone në shumë situata na dha entuziazëm për të mos u dorëzuar, por të gjithë e ndihmuam njëri-tjetrin. Ashtu si pas humbjes në Champions kundër Bayernit, kur të gjithë menduan se ne do të eliminoheshim. Por, ne nuk u dorëzuam dhe prej Barcelonës filloi gara jonë evropiane”.

Interi futet në ndeshjen e së martës me një seri prej shtatë fitoresh në të gjitha garat. Kjo ka bërë që te Interi të besojnë se këtë edicion mund ta përsëritin vitin 2010 duke fituar tre trofe. Interi tashmë e ka fituar Superkupën e Italisë dhe është në finale të Kupës së Italisë, ndërsa finalen e Championsit mund ta sigurojë të martën mbrëma. Për më tepër, sulmi i Interit po shkrep.

Sulmuesi Edin Xheko ka shënuar tri herë gjatë ecurisë pa humbje, Lautaro Martinez ka shënuar gjashtë herë dhe Romelu Lukaku ka realizuar pesë gola, duke paralajmëruar kthimin në formën e tij më të mirë.

“Lukaku është fantastik”, tha Farris. “Në pjesën e parë të edicionit na ka munguar shumë, por tani është rikthyer dhe mendoj se të gjithë po e shohim Romelun e vërtetë pasi është faktor kohët e fundit”.

Interi është gjithashtu në rrugë për t'u kualifikuar në Champions të edicionit të ardhshëm pasi është i treti në Serie A, një pikë mbi Lazion dhe pesë më shumë se Milani i vendit të pestë, me tri ndeshje të mbetura deri në fund të edicionit.

Fitimi i Ligës së Kampionëve mund të jetë rruga e vetme e Milanit për të siguruar pjesëmarrjen në këtë garë edhe edicionin tjetër, pasi humbja 2:0 nga Spezia ka minimizuar gjasat për një përfundim në top-katërshe në Serie A. Por Milanin e pret sfidë e madhe të martën mbrëma me rivalin lokal.