Mesfushori, figura kryesore e ekipit, pavarësisht se puna e tij shpesh kalon pa u vënë re, po largohet nga Barcelona në fund të edicionit. Koha ishte gjithmonë dhurata më e madhe e Sergio Busquetsint, dhe tani ai ka vendosur se është koha për të shkuar.
“Nuk ishte një vendim i lehtë, por momenti ka ardhur”, ka shkruar kapiteni i Barcelonës.
Pas dy muajve, ai mbush 35 vjeç, ndërsa në vikend ai e çon skuadrën e tij në derbin kundër Espanyolit, duke e ditur se një fitore do t'i siguronte titullin e kampionit. Titulli i nëntë i karrierës së tij në La Liga do të jetë gjithashtu i fundit. Në fund të këtij edicioni, të 15-n, ai do të largohet nga “Camp Nou” dhe “klubi i jetës”, një epokë që mbyllet me të. Xavi Hernandez, dikur bashkëlojtari i Busquetsit dhe tani trajneri i tij, kishte dashur që ai të qëndronte, ashtu si Luis Enrique që kishte dashur që mesfushori të vazhdonte të luante për Spanjën. Por Busquets u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar pas Botërorit të Katarit dhe ai po largohet gjithashtu nga Barcelona, pasi negociatat për një kontratë të re dështuan në marrëveshje. Destinacioni i tij, tash për tash mbetet i panjohur. Nuk ka mbetur askush në përfaqësuesen e Spanjës që fitoi Kupën e Botës, dhe askush nuk ka mbetur në Barcelonë nga ekipi që fitoi të gjitha, brezi që ndryshoi gjithçka, përfshirë edhe vetë lojën e futbollit. Ka kaluar shumë kohë. Busquets iu bashkua Barcelonës në vitin 2005 dhe bëri debutimin e tij në ekipin e parë kundër Racing Santanderit në shtator të vitit 2008, 719 ndeshje më parë. Trajneri i Racingut më vonë pranoi se nuk dinte shumë për të; pothuajse askush nuk dinte, përveç Pep Guardiolas. Një fëmijë i gjatë, i dobët, djali i ish-portierit Carlos, i cili dikur pretendonte se i kishte djegur duart në një hekur duke e ndaluar që të mos i binte në kokë vogëlushit Sergio. Busquets luajti nën Guardiolën me ekipin B të Barcelonës në Spanjë. Pak mund ta kuptonin pse ai ishte promovuar, por së shpejti ai ishte fitues i trefishtë, pasi një edicion që e filloi në “Santa Eulalia” e përfundoi me finalen e Kupës Evropiane në Romë. Pak më shumë se një vit pas kësaj, ai ishte një kampion bote. Një tjetër trofe i Championist dhe Kampionat Evropian pasuan në edicione të njëpasnjëshme. Ai do të shkonte pastaj me nëntë tituj të ligës, shtatë kupa, tri kupa evropiane dhe gjithsej 34 trofe. Busquets ka luajtur 864 ndeshje (me Barçën e Spanjën); do të ketë edhe pesë të tjera. Ai kishte filluar si sulmues, duke shënuar në debutimin e tij për Barcelonën B, por ai nuk dribloi, nuk shënoi gola - 20 në total - dhe nuk dha asistime. Ai ishte një mesfushor mbrojtës, i cili përshkonte shumë kilometra. Megjithatë, ai dinte saktësisht kur duhet të ngadalësohej dhe përshpejtohej loja. Kjo e bëri Busquetsin lojtar unik.
“Ai është një nga mesfushorët më të mirë në futbollin botëror dhe mesfushori më i mirë mbrojtës në historinë e Spanjës”, tha Xavi.
Në moshën e tij ishte e natyrshme që disa dyshonin në të, përfshirë edhe veten. Ka pasur edhe ditë të këqija dhe kostoja e mbajtjes së Busquetsit mes krizës financiare të Barcelonës ishte e lartë. Pas Kupës së Botës, Luis Enrique i vuri vetes detyrën për të bindur Busquetsin që të vazhdonte deri në vitin 2026 me Spanjën. Ndërkohë, edhe Xavi u përpoq ta bindte që të mbetej te Barcelona edhe për një vit. Por nëse ka një gjë që Busquets e ka ditur gjithmonë, ajo është koha kur do të largohej.