Në njërën prej hapësirave të zonës VIP në stadiumin “Santiago Bernabeu”, babai i sulmuesit Erling Haaland shkëmbeu ofendime me tifozët e Real Madridit dhe duhej të nxirrej jashtë nga sigurimi.
Poshtë në fushë, djali i tij u kontrollua nga mbrojtësit e Real Madridit dhe nuk mund të kishte shumë ndikim në lojë. Ishte një natë zhgënjyese për norvegjezin Haaland në barazimin 1:1 e së martës mbrëma ndërmjet Cityt dhe Real Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Babai i Haalandit, ish-lojtari Alf-Inge, u pa duke bërë gjeste të pahijshme dhe duke debatuar me tifozët nga zona e tij në Bernabeu, duke nxitur rojet e sigurisë ta zhvendosnin atë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Djali i tij, ndërkohë, pati një paraqitje të qetë, duke humbur shumicën e betejave kundër mbrojtësit të Real Madridit, Antonio Ruediger, dhe duke dështuar t’i përmbushë pritshmëritë e tij, duke pasur parasysh se Haalandi është golashënuesi kryesor i Championsit këtë edicion. Haaland u fut në ndeshje me 12 prej 26 golave të Cityt të shënuar në këtë garë, pesë më pak se rekordi i Cristiano Ronaldos, i cili përgjatë edicionit 2013/14 realizoi 14 gola për Realin.
Haalandi është gjithashtu golashënuesi më i mirë i Premier League me 35 gola, ndërsa gjithsej ka 51 sosh të realizuar në të gjitha garat deri më tani. Por mbrojtja e Realit u sigurua që ai të mos ishte një faktor në ndeshjen e së martës në kryeqytetin spanjoll, kur ai pati pak prekje të topit dhe vetëm dy tentime në portë – një goditje të dobët dhe një goditje me kokë në pjesën e parë që shkaktoi pak telashe për portierin Thibaut Courtois. Përpjekja e vetme e Haalandit në pjesën e dytë nuk e gjeti as objektivin - një goditje e bllokuar nga mbrojtësi David Alaba brenda zonës.
“Hapësirat dhe distancat mes qendërmbrojtësit dhe mbrojtësve të krahut ishin të zëna”, tha trajneri i Cityt, Pep Guardiola. “Nuk ishte e lehtë për Erlingun”.
Ruediger ishte në krye të mbrojtjes së Realit dhe përgjegjës për sulmuesin e Norvegjisë dhe mbrojtësi gjerman e pati në kontroll atë shumicën e kohës. Ai e markoi Haalandin duke i qëndruar afër prej fillimit, ndonjëherë duke e mbërthyer me duar për ta penguar atë të fitonte avantazh dhe rrallë i jepte atij hapësirë për të krijuar mundësi. Sa herë që topi shkonte drejt Haalandit, ishte gjithmonë dikush tjetër afër dhe gati për ta dyfishuar, qoftë Alaba, Eduardo Camavinga, Dani Carvajal apo një nga mesfushorët.
“Të gjithë bënë një punë fantastike. Ne ishim të shkëlqyeshëm nga këndvështrimi i mbrojtjes dhe City nuk krijoi raste fare”, tha trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti. “Ekipi ishte shumë i përkushtuar. Ruediger bëri një paraqitje fantastike”.
Reprezentuesi i Gjermanisë, Ruediger, zëvendësoi titullarin e rregullt Eder Militao, i cili ishte i pezulluar, megjithëse Ancelotti tani mund t’i besojë atij edhe për ndeshjen e kthimit, e cila luhet javën e ardhshme në Manchester.
“Ruediger neutralizon Haalandin”, shkroi e përditshmja spanjolle “AS”.
City e shënoi golin e barazimit me një goditje nga distanca të Kevin De Bruynet në pjesën e dytë, pasi Vinicius Junior kishte kaluar në avantazh Realin, po ashtu me gjuajtje nga jashtë zonës në pjesën e parë.
Haalandi nuk ishte pjesë e Cityt kur u eliminua nga Reali edicionin e shkuar në gjysmëfinale të Championsit me rezultatin e përgjithshëm 6:5. Pas kësaj, Reali e mposhti Liverpoolin në finale për ta fituar trofeun e 14-të evropian për të vendosur rekord. Ndërkohë, City ende nuk ka shijuar suksesin në këtë garë, ndonëse para dy edicioneve arriti deri në finale, por u mposht nga Chelsea.