Prishtina 01 e ka fituar Kupën e Kosovës në futsall. Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, kryeqytetasit e udhëhequr nga trajneri Haki Ahmeti, mposhtën në finale Liqenin e Drenasit me rezultatin 2:0.
Për Prishtina 01 ishte triumfi i dytë në garën për Kupë të Kosovës në futboll të sallës. Për herën e parë Kupën e kishte fituar para tre vjetësh.
Finalja është përcjellë nga numër i konsiderueshëm shikuesish.
Pjesa e parë nuk ofroi gola për të pranishmit. Ndërkohë, golat e fitores për ekipin prishtinas erdhën në dhjetë minutat e fundit të takimit. Ramadan Alaj shënoi për 1:0 pas një kundërsulmi të shpejtë. Më pas Ermir Kryeziu nga afërsia e konkretizoi në gol aksionin e ndërtuar mirë. Në të dy golat asistues ishte Halim Selmanaj.
Deri në fund të ndeshjes, Liqeni u mundua të kthehej në lojë, por nuk ia arriti.
Liqeni, që ka fituar dy edicionet e kaluara të elitës së futsallit të Kosovës, Kupën e kishte fituar në edicionin 2020/2021.
Prishtina 01 edhe në kampionat po dominon aktualisht. Pas 14 xhirove zë pozitën e parë me 37 pikë. Vjosa është e dyta me 32 pikë, kurse Liqeni i treti me 28 pikë. Në pozitën e katërt është Drenica me 26 pikë. Katër të parët luajnë në plejof.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.