Kampionati Evropian i hendbollit mbetet ende i largët për Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll.
Hendbollistët e Kosovës të dielën i kanë përfunduar kualifikimet, ndërsa nuk morën asnjë pikë. Mbetën të fundit në grupin e shtatë prej të cilit në “Euro 2024” u kualifikuan Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Ndeshjen e fundit Kosova e luajti në Velenje ndaj Sllovenisë. Sllovenia ka udhëhequr gjatë tërë kohës, ndërsa në fund fitoi me rezultat 33:28.
Në minutën e 18-të, Sllovenia krijoi epërsi prej 12:6 e më pas 13:7. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:12 në të mirë të Sllovenisë.
Në pjesën e dytë epërsia e vendësve shkoi deri në dhjetë gola, 24:14. Epërsia prej dhjetë golash u arrit edhe disa herë të tjera, ndërsa fitorja e sllovenëve nuk është rrezikuar për asnjë moment. Në fund vendasit ulën ritmin dhe Kosova u afrua në pesë gola.
Kapiteni Valon Dedaj i kishte tetë gola nga nëntë tentime te Kosova. Ai realizoi edhe tri penallti. Leonard Gegaj shënoi shtatë gola nga nëntë tentime, derisa Lulzim Shabani shënoi katër gola nga katër tentime. Katër gola por nga tetë tentime i kishte Drenit Tahirukaj. Liridon Zena kontribuoi me dhjetë pritje.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Bosnjë-Hercegovina fitoi 25:23 ndaj Malit të Zi në Podgoricë. Dhe kështu siguroi vendin e dytë në grup. Mali i Zi mbeti i treti, por u kualifikua si një prej përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë. Sllovenia më herët ka siguruar pozitën e parë dhe vendin në Evropian.
Kosova në dy ciklet e kaluara kualifikuese për Evropian i kishte mbledhur nga tri pikë. Në kualifikimet për “Euro 2024” mbeti pa pikë të fituar. Pa pikë kanë mbetur vetëm edhe Luksemburgu, Belgjika e Letonia.
Asnjë përfaqësuese seniore e Kosovës nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe deri më tani. Kishte shpresë se përfaqësuesja e hendbollit do ta arrinte këtë, por kualifikimi doli të jetë ende shumë i largët.