Sport

Kosova e matur para përballjes me Malin e Zi

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll po synon që fazën kualifikuese për “Euro 2024” ta mbyllë me rezultate pozitive. Këtë javë, Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit të fazës së dytë kualifikuese dhe është e përgatitur maksimalisht për ta dhënë më të mirën nga vetja, si ndaj Malit të Zi ashtu edhe Sllovenisë. Këto ndeshje i takojnë Grupit të shtatë kualifikues.

Fillimisht, Kosova do të përballet me Malin e Zi, përpara se ta mbyllë këtë kampanjë të dielën në udhëtim te Sllovenia. Dueli mes Kosovës dhe Malit të Zi zhvillohet të enjten prej orës 20:15 në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kosova është e fundit në grup pa pikë pas katër humbjeve në po aq ndeshje të luajtura deri më tani, ndërsa Mali i Zi është i dyti me katër pikë sa i ka edhe Bosnjë-Hercegovina në pozitën e tretë. Grupit i prin Sllovenia me tetë pikë të mbledhura. Kosova të dielën ka nisur përgatitjet dhe fokusi i “Dardanëve” është te dueli me Malin e Zi, para të cilit janë treguar të matur. Pivoti Luigj Quni e vlerëson si tejet të rëndësishme ndeshjen me Malin e Zi.

Quni është kthyer te Kosova pasi mungoi në dy ndeshjet me Bosnjë-Hercegovinën për shkak të lëndimit, të cilin e ka sanuar plotësisht. Sipas tij, përballja me Malin e Zi është e rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të përfaqësueses kosovare.

“Gjatë viteve të fundit jemi përmirësuar vazhdimisht. Dhe këtë e tregon fakti që presioni për ndeshjet me kundërshtarë të caktuar është me të drejtë më i lartë. Kjo ndodh pasi pritshmëritë janë më të larta në vendin tonë”, ka thënë Quni, i cili ka kompletuar një tjetër edicion të suksesshëm në Superligën e Zvicrës me fanellën e ekipit Amicitia Zuerich. “Ndeshja në shtëpi kundër Malit të Zi është një moment i rëndësishëm për ne, për zhvillimin tonë të mëtejmë. Kjo përfshin përgatitjen taktike, mendore dhe fizike për kundërshtarin. Ne shpresojmë për mbështetjen e tifozëve në sallë”.

Ndeshjen e parë, të luajtur në Podgoricë në tetor të vitit të shkuar, Kosova e pati humbur me nëntë gola dallim – 29:20. Te Përfaqësuesja e Kosovës atmosfera është tejet e mirë dhe optimiste para ndeshjes me Malin e Zi, ka insistuar hendbollisti Egzon Gjuka. Ai ka thënë se të gjithë lojtarët e Kosovës do të japin gjithçka nga vetja për t’iu revanshuar Malit të Zi për humbjen e shkaktuar vitin e shkuar. Sipas tij, fitorja nuk është mision i pamundur në Prishtinë.

“Do të angazhohemi maksimalisht dhe normalisht pasi luajmë në Prishtinë, do ta kërkojmë fitoren ndaj Malit të Zi. Edhe pse është e vështirë, besoj se nuk është e pamundur dhe shpresoj ta arrijmë një gjë të tillë”, është shprehur Gjuka.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Kosovës, Bujar Qerimi, krahas angazhimit të lojtarëve të tij, e pret edhe përkrahjen e fuqishme nga tribunat. Qerimi beson se palestra do të jetë e mbushur me tifozë që do ta përkrahin Kosovën drejt triumfit.

“Po luajmë në shtëpinë tonë dhe ndihma e tifozëve është shumë e rëndësishme, pasi ata janë lojtari i tetë i yni dhe na ndihmojnë shumë”, u shpreh Qerimi.

Kualifikimet për Evropianin e vitit të ardhshëm, Kosova i mbyll të dielën me ndeshjen kundër Sllovenisë. Kjo përballje zhvillohet në Velenje me fillim në orën 18:00.