Sport

Greku Vavalis synon titullin me Dritën

Akis Vavalis

Në prezantimin e tij të parë, trajneri nga Greqia, Akis Vavalis, është treguar tejet ambicioz për synimet e tij që i ka me skuadrën e Dritës. Vavalis ka insistuar se ka ardhur në krye të Dritës për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës këtë sezon.

Vavalis të premten mbrëma është zyrtarizuar te Drita, ndërsa të hënën, kur edhe e ka nisur punën e tij, ka mbajtur konferencën për shtyp. Vavalis në këtë post e ka zëvendësuar Arsim Thaqin e dorëhequr javën e shkuar, ndërsa është trajneri i tretë te Drita këtë sezon, të cilin e nisi me Ardian Nuhiun. Vavalis 37-vjeçar ka firmosur kontratë me Dritën deri në fund të këtij sezoni, por do të jetë trajner i saj edhe për sezonin e ardhshëm, ka konfirmuar drejtori sportiv Valon Zymberi. Sipas Zymberit, greku Vavalis ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për Dritën duke pasur parasysh ambiciet e tij të mëdha.

“Jemi mbledhur për të prezantuar trajnerin tonë të ri, i cili do të na prijë gjatë këtyre ndeshjeve, por sigurisht edhe sezonin e ardhshëm. Marrëveshja është finalizuar të dielën, ndërsa kontaktet i kemi pasur shumë më herët dhe mendojmë se ky është profil i trajnerit që u përshtatet klubit tonë dhe ambicieve, që do të thotë se kemi bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Jemi të lumtur dhe të kënaqur që kemi arritur të finalizojmë marrëveshje me një trajner tejet ambicioz dhe e kaluara e tij tregon që e ardhmja jonë është shumë e sigurt”, ka thënë Zymberi. Përzgjedhja e trajnerit Akis nuk ka qenë aty për aty, por analizë dhe diskutime të zgjatura. Bindja jonë ka bërë që të zgjedhim një trajner më afatgjatë. Zgjidhja është afatgjate, pavarësisht rrethanave që do të ndodhin. Edhe në fund të këtij sezoni, dalim apo nuk dalim kampion, pa diskutim se trajneri Akis me stafin e tij do të jetë edhe sezonin e ardhshëm për të krijuar një stabilitet, pasi të jemi sa më të përgatitur dhe komponuar për paraqitjet në Evropë. Krahas titullit të kampionit, synim tjetër i rëndësishëm i Dritës është paraqitja në Evropë dhe kalimi i sa më shumë rundeve”.

Drita është vetëm ekipi i tretë për grekun Vavalis që do të jetë trajner, pasi në të kaluarën kryesisht ka punuar si ndihmëstrajner. Si trajner, Vavalis ka punuar te Krumovgradi, ekip i kategorisë së dytë të Bullgarisë dhe Vasalundi i Suedisë që bën gara në kategorinë e tretë suedeze. Së fundmi, ai ishte ndihmës tek ekipi elitar i Greqisë, PAS Lamia deri në shkurt të këtij viti. Si ndihmëstrajner, 37-vjeçari ka punuar edhe te skuadrat greke si Atromitos, Aris, Asteras e Iraklis, ndërsa ka qenë edhe pjesë e ekipeve si Ermis në Qipro e Lokomotiva Plovdiv në Bullgari.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, pjesë e Dritës dhe shumë i emocionuar për këtë aventurë, pasi bëhet fjalë për një klub të madh të Kosovës duke pasur parasysh ambiciet. Ky ishte edhe çelësi për të finalizuar marrëveshjen. Qëllimi është ta ndihmoj ekipin të përparojë dhe të arrijë synimin që e ka për ta fituar titullin, pasi ky është edhe objektivi i madh i imi. Është një sfidë tejet e madhe për mua dhe shpresoj që do të arrijmë synimet e përbashkëta me klubin në fund të sezonit”, ka thënë Vavalis, duke shtuar se kontaktet me Dritën i ka nisur në dhjetor të vitit të shkuar. “Gjëja kryesore që jam këtu është se dua të shpallem kampion me Dritën. Po të ishte klub vetëm për të siguruar mbetjen në ligë, nuk do të isha këtu. I kam parasysh objektivat e Dritës dhe e di që jam trajneri i tretë këtë edicion, por nuk më frikëson kjo aspak pasi kjo është puna jonë”.

Vavalis ka thënë se prej kontaktit të parë me Dritën ka përcjellë ekipin, si dhe kampionatin e Kosovës, të cilin e vlerëson lart. Ai është i bindur se nuk do ta ketë të vështirë adaptimin në futbollin kosovar, pasi insiston se është gati për të.

“Jam i sigurt me njohurinë time, përkrahjen e klubit dhe lojtarët që i kemi, mendoj se nuk do të jetë problem për mua të adaptohem. E di që kampionati i Kosovës ka një nivel shumë të mirë dhe jam gati për të”, shtoi Vavalis, i cili insistoi se as që dëshiron të mendoj për ta mbyllur sezonin në vendin e dytë. “Nuk dua të mendoj për vendin e dytë. Mendoj se kemi gjasa të mëdha për të arritur sukses edhe pse koha e shkurtër. Në skenarin më të keq, nëse nuk shpallemi kampion, atëherë kjo do të na motivojë edhe më shumë për triumf sezonin e ardhshëm”.

Drita, aktualisht është e dyta në tabelë me 60 pikë të mbledhura, një më pak se Ballkani që është lider. Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje, ndërsa Vavalis në krye të Dritës do të debutojë këtë fundjavë në duelin ndaj Ferizajt.

“Duhet të luajmë nën presion, ta menaxhojmë për shkak se ndryshe nuk mund t’i mbijetosh futbollit. Lojtarët e Dritës besoj se tashmë janë të mësuar për këtë presion, kështu që do të stërvitemi fort dhe do të kemi rezultate të mira. Të shtunën na pret një ndeshje e vështirë, por do të jemi gati për sukses”, tha Vavalis.