4 perditesime
22:55

Ekspertja e Ligës së Evropës eliminon Manchester Unitedin

Sevilla ka shkuar në gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Andaluzianët të enjten mbrëma fituan në ndeshjen kthyese të çerekfinales ndaj Manchester Unitedit me rezultatin 3:0.

Skuadra spanjolle që mban rekordin me gjashtë trofe të fituar në garën e dytë më të rëndësishme të organizuar nga UEFA për klube, fitoi përballë Unitedit me dy gola të Youssef En Nesyrit dhe një tjetër nga Loic Bade.

En Nesyri e hapi serinë e golave në minutën e tetë.

Mbrojtësi francez Bade shënoi dy minuta pasi skuadrat u kthyen në fushë pas pushimit, ndërsa En Nesyri realizoi edhe një herë tjetër në minutën e 81-të.

Ndeshja e parë në “Old Trafford” ishte mbyllur me rezultatin 2:2.

Sevilla kalon në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm, 5:2.

Skuadra spanjolle në gjysmëfinale luan kundër Juventusit.

22:45

Sevilla shënon edhe golin e tretë

Sevilla ka shënuar edhe golin e tretë në duelin ndaj Unitedit dhe është shumë pranë kualifikimit në gjysmëfinale.

En Nesyri ishte realizator edhe i golit të tretë në minutën e 81-të.

22:09

Sevilla dyfishon epërsinë

Me të nisë pjesa e dytë, Sevilla ka dyfishuar epërsinë ndaj Manchester Unitedit. Loic Bade realizoi me kokë nga afërsia pas rivënies këndore.

Me këtë epërsi, Sevilla udhëheq në rezultat të përgjithshëm 4:2.

 

21:54

Sevilla në epërsi pas pjesës së parë

Janë mbyllur pjesët e para të çerekfinaleve kthyese të Ligës së Evropës. Sevilla është në epërsi ndaj Manchester Unitedit 1:0.

Golin e vetëm e ka shënuar Youssef En Nesyri në minutën e tetë.

Lucas Ocamposit të Sevillas iu anulua goli pas rishikimit të situatës në VAR, pasi gjatë ndërtimit të aksionit pati pozitë jashtë loje.

21:14

Maguire s’i ndal gabimet, Sevilla në epërsi të hershme

Sevilla ka kaluar në epërsi në ndeshjen ndaj Manchester Unitedit.

Kjo është ndeshje kthyese e çerekfinales së Ligës së Evropës.

Golin e epërsisë e shënoi Youssef En Nesyri në minutën e tetë.

Ai shfrytëzoi gabimin e qendërmbrojtësit Harry Maguire, që tashmë njihet për gabimet e shpeshta.

Në rezultat të përgjithshëm, Sevilla udhëheq 3:2, pas barazimit në Old Trafford ndeshjen e parë.