Sport

FFK-ja insiston se i ka plotësuar kriteret për licencim, por jo edhe klubet

Federata e Futbollit e Kosovës ka insistuar se i ka plotësuar kriteret për licencim, por jo edhe klubet, pasi atyre u duhet t’i plotësojnë edhe disa detaje tjera.

Këto komente, FFK-ja i ka thënë të premten pas takimit të përbashkët mes zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës me Komisionin Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të MKRS-së, dhe përfaqësuesve të klubeve, në prani të ministrit Hajrulla Çeku dhe zëvendësministres, Daulina Osmani.

“Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, me qëllim të shqyrtimit dhe të vlerësimit të komenteve dhe kërkesave finale të Komisionit në lidhje me dokumentacionin e klubeve në procesin e licencimit të FFK-së. Në këtë takim edhe një herë u vu në pah se FFK i ka plotësuar të gjitha dokumentet dhe kriteret për licencim, ndërkohë që klubeve u mbetet të plotësojnë vetëm disa detaje në dokumentacionet e tyre, e që sipas dinamikës mund të kompletohen qysh javën që vjen”, thuhet në njoftimin e FFK-së në faqen zyrtare.

Sipas FFK-së, licencimi i FFK-së është vonuar për shkak se është federata më e madhe sportive në vend dhe ka numrin më të madh të anëtarëve dhe sportistëve.

Po ashtu, FFK-ja ka shtuar se klubet procesin e kompletimit të dokumentacionit, pritet ta përmbyllin javën që vjen.