Sport

FFK-ja i gëzohet vendimit për të ndaluar aktivitetet ilegale

E ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Anamoravës së Kosovës” më 5 prill njoftoi për orarin e xhiros së dytë të ashtuquajturës “Ligë e Anamoravës së Kosovës”. Ndeshje të kësaj lige ilegale është paralajmëruar se do të zhvillohen të shtunën e të dielën.

Por kjo e ashtuquajtur federatë nuk ka njoftuar për zhvillimin e ndonjë ndeshjeje.

Policia e Kosovës gjatë javës ka vendosur të ndalojë aktivitetet ilegale të Federatës së Futbollit të Serbisë në territorin e Kosovës. Përmes një letre, përmbajtja e së cilës u bë e ditur të shtunën, Policia e Kosovës ka urdhëruar që të ndalohen garat e federatave të Serbisë në territorin e Kosovës, e që janë në kundërshti me ligjet e shtetit të Kosovës.

Është e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë” që ka publikuar letrën. Kjo organizatë ilegale ka thënë se është vendosur që ndeshjet e kësaj fundjave të anulohen.

Vendimi i Policisë së Kosovës, që në fakt është zbatim i ligjeve të Kosovës, erdhi pas reagimit publik të FFK-së.

Pasi një javë më parë u zhvilluan ndeshjet e xhiros së parë të ashtuquajturës “Ligë e Anamoravës”, KOHA shkroi për këtë kampionat ilegal. Më pas reagoi FFK-ja dhe ndërkohë, policia ndërmori veprime konkrete.

Në FFK i janë gëzuar faktit që organet përgjegjëse kanë ndalur aktivitetet e federatës së vendit fqinj.

“Federata e Futbollit e Kosovës i gëzohet faktit që organet përgjegjëse i kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të ndaluar aktivitetet ilegale të federatës së Futbollit të Serbisë brenda territorit të shtetit. Ne, si federatë, e kemi bërë punën tonë në raport me organet përgjegjëse të shtetit dhe të dy institucioneve ndërkombëtare të futbollit, UEFA dhe FIFA, për të siguruar që federata e një shteti fqinj të mos organizojë gara në territorin tonë”, shkruan në një përgjigje të FFK-së për KOHËN.

Në përgjigjen e së dielës shkruan më tutje se: “FFK-ja është e vetmja organizatë që e ka të drejtën e organizimit të garave të futbollit në shtetin tonë dhe si e tillë, i bën thirrje komunitetit serb në Kosovë që të bëhet pjesë e garave legale dhe kështu të respektojë ligjshmërinë e shtetit ku jeton dhe njëkohësisht edhe të UEFA-s dhe FIFA”.

FFK-ja shpreson se masat e ndërmarra do të ndihmojnë në forcimin e integritetit të futbollit në Kosovë dhe në promovimin e vlerave sportive dhe demokratike mes komuniteteve në vend.

Në vendimin e Policisë së Kosovës shkruan se: “ndalohen të gjitha aktivitetet sportive të klubeve që nuk janë të regjistruara në federatat e republikës së Kosovës”. Nga drejtoritë regjionale është kërkuar të angazhohen në terren dhe të marrin masat ligjore e policore për të ndaluar zhvillimin e ngjarjeve që janë në kundërshti me ligjin.

Reagimet e serbëve të Kosovës, por edhe të organeve në Beograd ishin të menjëhershme. Kanë reaguar Federata e Futbollit e Serbisë e po ashtu Ministria e Sportit e Qeverisë së Serbisë. Një nënkryetar i federatës serbe e ka ekzagjeruar të dielën, duke theksuar se do t’i drejtohen UEFA-s. Në fakt garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës janë në kundërshti edhe me rregulloret e UEFA-s.

“Asgjë më të çmendur nuk kam dëgjuar dhe nuk ka pasur diskriminim më të madh ndaj serbëve nga ana e Policisë së Kosovës. Ne jemi me federatën regjionale, me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë. Është çështje e ndjeshme, është më shumë se futboll. Këtu po luajnë me lirinë dhe vendimmarrjen e njerëzve. Duhet të kemi përgjigje të përbashkët, ndërsa ne si federatë do t’u japim përkrahje maksimale klubeve tona. Nesër Federata do t’i drejtohet UEFA-s për këtë çështje”, ka thënë Branislav Nedimoviq, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Serbisë.

Serbët në Kosovë kanë refuzuar dhe vazhdojnë të refuzojnë të inkuadrohen në sistemin sportiv të shtetit të Kosovës. Ndërkohë kur zbatohet ligji, por edhe rregulloret e federatave ndërkombëtare, shkruajnë e flasin për diskriminim.