Plot pesë muaj Mallorca nuk kishte fituar pikë në udhëtim në La Liga. Më 6 nëntor kishte fituar 2:0 si mysafire e Villarrealit, ndërsa Vedat Muriqi kishte shënuar një gol dhe kishte përgatitur një tjetër.
Pikë të reja në udhëtim, Mallorca fitoi të dielën. Dhe sërish sulmuesi kosovar ishte protagonist. Mallorca luajti 3:3 ndaj Valladolidit, ndërsa Muriqi shënoi golin e barazimit në minutën e 94-t. Ai realizoi penallti të cilën e siguroi vetë. Muriqi shënoi edhe për 1:1 në minutën e 53-të, me goditje me kokë.
28-vjeçari tani ka 12 gola e dy asistime në 25 paraqitje në edicionin aktual të La Ligas spanjolle. Vetëm Robert Leëandoëski, Karim Benzema e Enes Unal kanë shënuar më shumë se ai në kampionatin spanjoll.
“Është dashur ta fitojmë lehtë këtë ndeshje. Kemi mundur të fitojmë, por në fund mbetëm me një pikë, që nuk është keq. Por kur shikojmë rastet, atëherë është mëkat”, ka theksuar Muriqi.
Ai nuk kishte realizuar që nga 25 shkurti, por ka vazhduar të jetë shumë i rëndësishëm për sulmin e Mallorcas, skuadrës së mesit të tabelës në La Liga.
“Pas pushimit kam qenë i sigurt se do të ndryshojmë rezultatin, ndonëse ishim duke pësuar 1:0. Kemi pasur shumë raste për gol. Në fund një pikë nuk është keq dhe mund të vazhdojmë para”, ka shtuar Muriqi.
Paraqitja e tij është vlerësuar lart.
“Nëse ka pasime, Muriqi siguron golat”, ka shkruar gazeta spanjolle “AS” për kosovarin.
Prizrenasi synon të vazhdojë me efikasitet.
“Shpresoj se do të shënoj gola të tjerë dhe kështu do të vazhdoj ta ndihmoj ekipin. Tani do të jemi më të qetë”, ka theksuar Muriqi.
Në La Liga kanë mbetur të zhvillohen edhe dhjetë xhiro.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.