Sport

Rikthimi i Tuchelit ndez derbin e madh mes Bayernit e Dortmundit

Emërimi i papritur i Thomas Tuchelit si trajner i Bayern Munichut i ka dhënë rivalitet edhe më të madh derbit të Bundesligës, që njihet ndryshe si “der Klassiker”. Tuchel, i cili mori drejtimin pasi Bayerni shkarkoi Julian Nagelsmann të premten e kaluar, do të përballet me ish-ekipin e tij, Borussia Dortmund, të shtunën, në ndeshjen e tij të parë pas kthimit në Gjermani. Dortmundi e shkarkoi Tuchelin tri ditë pasi fitoi Kupën e Gjermanisë në vitin 2017.

Ai kishte konflikt me zyrtarët e klubit dhe lojtarët gjatë dy sezoneve në krye. Kishte mosmarrëveshje me shefin ekzekutiv Hans-Joachim Watzke, drejtorin sportiv Michael Zorc, shefin e skautimit Sven Mislintat dhe të tjerë.

“Ne nuk mund të shihnim një bazë për vazhdimin e punës së bashku, bazë të ndërtuar mbi besimin”, tha Watzke.

Bayerni ka vënë bast me Tuchelin, duke e tronditur skuadrën për pjesën vendimtare të sezonit pasi humbja 2:1 nga Bayer Leverkuseni e la kampionin në fuqi një pikë prapa Dortmundit.. Vizita e Dortmundit po vlerësohet ndeshja më e madhe e sezonit, ndoshta edhe vendimtare në garën për titullin e kampionit, me tetë xhiro të mbetura më pas. Vetëm një fitore do të zvogëlonte frikën e Bayernit dhe do të hiqte kontrollimin e ligës nga Dortmundi.

“Sfida nuk mund të jetë më e madhe”, pranoi Tuchel, kur u pyet për derbin me Dortmundin.

Tuchel gjithashtu u grind me zyrtarët e Paris Saint-Germainit përpara shkarkimit të tij në dhjetor 2020, dhe kishte raporte të ngjashme përpara se të shkarkohej nga Chelsea vitin e kaluar.

Tuchel kishte pasur një efekt të menjëhershëm te Chelsea, duke fituar Ligën e Kampionëve në vitin 2021 pas vetëm katër muajsh në krye dhe Bayerni po shpreson për një ndikim të ngjashëm.

Bayerni përballet me Manchester Cityn në çerekfinale të Ligës së Kampionëve 10 ditë pas “der Klassiker”. Tuchel do të ketë ekipin e plotë për të punuar vetëm nga e premtja për shkak të pushimit ndërkombëtar. Kanadezi Alphonso Davies pritet të jetë lojtari i fundit që do t’i bashkohet Bayernit. Bisedimet e trajnerit të ri me ekipin do të jenë të rëndësishme, sidomos me lojtarët si Joshua Kimmich dhe Leon Goretzka që ishin të afërt me Nagelsmannin. Goretzka tha se shkarkimi i Nagelsmannit ishte “tronditje për të gjithë”. Pushimi erdhi në kohën e duhur për Dortmundin, i cili kishte një numër të madh lojtarësh të lënduar për ndeshjen e fundit, të cilën e fitoi ndaj Koelnit.

“Do të kthehen disa në fundjavë”, tha drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl, duke iu referuar mungesave të mesfushorit Julian Brandt, portierit Gregor Kobel dhe sulmuesve Karim Adeyemi, Jamie Bynoe-Gittens dhe Youssoufa Moukoko. Mbrojtësi i Gjermanisë, Nico Schlotterbeck, u kthye nga detyra ndërkombëtare me një problem në kofshë, por duhet të jetë gati për Dortmundin të shtunën.

Jamal Musiala mund të kthehet te Bayerni po ashtu. Kehl, i cili mori drejtimin nga Zorc vitin e kaluar, tha se emërimi i Tuchelit nga Bayerni do të ketë pak ndikim në lojë.

“Nuk e di nëse Bayerni do të jetë më i mirë të shtunën me Thomas Tuchelin se që ishte më parë nën drejtimin e Julian Nagelsmannit”, tha Kehl. “Unë nuk mendoj se personeli stërvitor do të ndikojë vërtet në këtë lojë”.

Herën e fundit që Dortmundi u përball me një kundërshtar që sapo punësoi një nga ish-trajnerët e tij, nuk kaloi mirë. Në muajin shtator u mposht nga Leipzigu 3:0, që udhëhiqej nga Marco Rose. Por, kjo ishte në fillim të sezonit dhe Dortmundi është dukur shumë më mirë që nga pushimi i dimrit. Dortmundi ishte nëntë pikë pas Bayernit në fillim të vitit dhe që atëherë ka fituar nëntë nga 10 ndeshjet e ligës. Ka barazuar 2:2 me Schalken po ashtu. Dortmundi ka pasur vështirësi në Munih më parë, duke humbur në tetë vizitat e fundit në ligë që nga fitorja pa shumë vlerë, 3:0, në prill 2014, kur Bayern ishte tashmë kampion.

Kehl ishte ende duke luajtur për Dortmundin në atë kohë.

“Djemtë me të vërtetë mezi presin ndeshjen, sepse ne kemi një shans të madh”, tha Kehl për aspiratat e Dortmundit për titull këtë edicion. “Ne mund të shkojmë atje me shumë besim. Ne e fituam besimin në javët e fundit. Jemi shumë më të qëndrueshëm, më të vendosur”.

Është gjithashtu një shans për Bayernin. Herën e fundit që Dortmundi mbërriti në Munih si lider i ligës, në prill 2019, Bayerni arriti fitore 5:0 për të rimarrë pozitën e parë dhe për të fituar një tjetër titull. Dortmundi fitoi vetëm një herë në gjashtë vizitat si lider – në shkurt 2012, kur Robert Lewandowski shënoi për fitoren 1:0 për ta vendosur Dortmundin në rrugën për ta mbrojtur titullin.

Bayerni ka fituar çdo titull që atëherë.