Sport

Alonso kërkon fitoren e 33-të në F1 pas 100 përfundimeve në podium

Pasi siguroi podiumin e 100-të në Arabinë Saudite në rrethana konfuze dhe të diskutueshme, ngasësi i Formula 1, Fernando Alonso, po kërkon suksesin maksimal në garën për Çmimin e Madh të Australisë që mbahet të dielën. Alonso ka dy vende të treta këtë sezon në Formula 1.

Ai tani po e kërkon fitoren e 33-të në Formula 1 dhe të parën pas 10 vjetësh. Piloti i skuderisë Aston Martin mbeti pas dyshes së Red Bullit, Max Verstappen dhe Sergio Perez, në dy garat e para të stinorit, në Bahrejn dhe Arabinë Saudite. Kampionati deri më tani është dominuar nga ngasësit e Red Bullit. Alonso beson se kampionati do të bëhet më garues derisa sezoni vazhdon, por është i kënaqur me mënyrën se si bolidi i tij po performon para garës së Melburnit. Seancat stërvitore për Çmimin e Madh të Australisë fillojnë të premten, kurse një seancë tjetër mbahet të shtunën, përpara kualifikimeve.

“Për momentin jam jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e bolidit. Ishte më mirë sesa pritej, veçanërisht në Jeddah”, tha Alonso. “Kemi ardhur këtu me një nivel të mirë besimi. Por, siç thashë, pas disa garave tani e tutje mendoj se bolidët do të ndryshojnë shumë dhe kampionati do të nxehet”.

41-vjeçari Alonso u bë piloti i gjashtë në Formula 1 që arriti numrin e 100 vendeve në podium, kur përfundoi i treti në Arabinë Saudite dy javë më parë në një garë me një përfundim të diskutueshëm.

Piloti i Aston Martinit mori një dënim prej 10 sekondash për shkak se ishte paksa jashtë pozicionit në fillim, gjë që e zbriti atë në vendin e katërt pas George Russellit të Mercedesit. Alonso më vonë u kthye në vendin e tretë pas një apeli të suksesshëm në FIA, duke argumentuar se zyrtarët e garës nuk e kishin informuar Aston Martinin për dënimin brenda kohës së caktuar. Russell tha të enjten se ishte një situatë e çuditshme, por beson se vendimi i FIA-s ishte e saktë.

“Natyrisht që ishte vendimi i duhur. Ishte pak turp se çfarë rrëmuje ishte për të gjithë të tjerët”, tha Russell. “Mendoj se nga ana ime dhe nga ana e ekipit tonë nuk ndiheshim se e meritonim të përfundonim në pozitën e tretë”.

Alonso fitoi për herë të fundit një garë të Formula 1 në Spanjë në vitin 2013, por dy podiumet këtë vit kanë emocionuar fansat në vendlindjen e tij.

“Është çmenduri të shohësh se si Spanja tani është sërish kaq entuziaste për Formula 1, për gjithçka që po ndodh”, tha Alonso. “Shpresoj se mund ta arrij atë numër, 33, dhe pastaj të shkojmë për fitoren e 34-t”.

Verstappen, i cili kryeson në renditjen e përgjithshme me një pikë më shumë se Perez, beson se Alonso është në gjendje t'i japë fund pritjes së gjatë për fitore në F1.

“Unë mendoj se Fernando duhet të kishte fituar më shumë gara. Ai e meriton. Do të isha i lumtur ta shihja atë të fitonte garën numër 33, por në njëfarë mënyre do të doja ta shihja të fitonte më shumë”, tha ai.