Sport

Marinica: Tifozët e Malawit bënin tifo për Egjiptin

Përzgjedhësi i Malawit në futboll, Mario Marinica, ka thënë se tifozët e shtetit që ai drejton, kanë shfaqur më shumë përkrahje për yjet e Egjiptit sesa për skuadrën e tyre në kualifikimet për Kupën e Afrikës në Lilongwe. Malawi humbi 4:0 nga Egjipti të martën mbrëma.

Me këtë disfatë, Malawi është afër që ta humbë arritjen në finalet e turneut që organizohet në Bregun e Fildishtë vitin tjetër. Marinica tha se detyra e Malawit kundër shtatë herë kampionit të Kupës së Afrikës u bë edhe më e vështirë, për shkak të turmës jopatriotike.

“Nuk mendoj se njerëzit e Malawit e duan Malawin, është e thjeshtë. Kur ne dolëm në fushë, ata përkrahën Egjiptin, nuk na përkrahën neve. Përfaqësuesja e Malawit në futboll është kundër gjithkujt, sepse tifozët nuk duket se na duan neve”, ka thënë Marinica. Pas katër ndeshjeve, Malawi ka tri pikë, aq sa ka edhe Etiopia. Egjipti dhe Guineja kanë nga nëntë pikë.