Sport

Me Griezmannin në formë, Atletico është ekipi më kërcënues në Spanjë

Antoine Griezmann shkëlqeu në Botërorin “Katari 2022”. Ishte njeriu kryesor i Francës, që bëri gjithçka në mesfushë për të ndihmuar përfaqësuesen të arrijë në finalen e dytë rresht. Që nga dështimi kundër Argjentinës në finalen e Botërorit, Griezmann ka vazhduar me të njëjtat paraqitje edhe tek Atletico Madridi, ku po tregon formën e tij më të mirë në vitet e fundit.

Tetë asistimet në ligën spanjolle, së bashku me nëntë golat e Griezmannit, kanë luajtur rol të madh që Atletico të bëhet skuadra më kërcënuese në ligë gjatë dy muajve të fundit.

Atletico kishte vështirësi në fillim të sezonit. Skuadra e Diego Simeonet doli nga gara evropiane duke përfunduar e fundit në grupin e saj të Ligës së Kampionëve. Gjithashtu, mbeti prapa kandidatëve kryesorë edhe në garën për titullin e kampionit të Spanjë dhe u eliminua në çerekfinale të Kupës së Spanjës. Ajo humbje në kupë nga Real Madridi më 26 janar ishte e fundit në përgjithësi dhe ndodhi pikërisht kur Atletico filloi një seri fitoresh në kampionat, ku nuk ka humbur që nga 8 janari.

Atletico është e treta, ndërsa të dielën do të përballet me Real Betisin që renditet i pesti. Përmirësimi i Atleticos ka pasur shumë të bëjë me disponimin e Griezmannit. Në muajt e parë të edicionit, Atletico i kufizoi minutat e sulmuesit të gjithanshëm, mes një mosmarrëveshjeje kontraktuale me ish-klubin e tij Barcelonën, që nuk u zgjidh deri në tetor.

Griezmann u ngrit në elitën e futbollit evropian duke luajtur për Atleticon prej vitit 2014 deri në vitin 2019. Pastaj u transferua te Barcelona dhe përjetoi dy vjet frustruese për t’u kthyer në Madrid në vitin 2021. Tek Atletico, Griezmanni e ka rregulluar statusin e lojtarit yll, të cilin e kishte para se të largohej në vitin 2019. Së fundmi, Griezmann ndihmoi Francën që të startojë me dy fitore në kualifikimet për Evropianin 2024. Ai shënoi në triumfin 4:0 ndaj Holandës dhe ishte i pazëvendësueshëm në fitoren 1:0 kundër Irlandës.

Atletico është jashtë garës për titull në Spanjë. Barcelona duket se do të shpallet kampione, kurse para pushimit ndërkombëtar e mposhti Real Madridin. Kjo fitore 2:1 në “Camp Nou” e la Barçën 12 pikë përpara Realit dhe plot 17 para Atleticos. Megjithatë, Atletico, mund ta sfidojë Realin për pozitën e dytë dhe përfundimi i sezonit si nënkampione do të ishte një çmim i madh për ekipin e Simeones.