Sport

Rezultatet më të dhimbshme të Përfaqësueses së Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur në shifrën e 47 ndeshjeve zyrtare, përkatësisht të ndeshjeve kualifikuese për Botëror dhe Evropian, si dhe në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Disa prej ndeshjeve do të mbahen mend për paraqitjen e fuqishme në fushë dhe për rezultatet e mëdha që morën “Dardanët”.

Por në këtë listë ndeshjesh janë edhe disa që i kanë lënë shumë të dëshpëruar tifozët e shumtë të Përfaqësueses së Kosovës, por edhe vetë lojtarët e drejtuesit.

Kosova më 5 shtator të vitit 2016 e ka luajtur ndeshjen e parë kualifikuese. U përball me Finlandën në Turku, në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2018. Ndeshja përfundoi 1:1.

Por historia e Përfaqësueses është shumë më e gjatë. Edhe më herët ka pasur rezultate vërtet dëshpëruese. Një humbje 3:0 nga KEK-u i Obiliqit, për shembull.

Më poshtë paraqesim disa prej ndeshjeve e rezultateve dëshpëruese të Kosovës. Për bazë janë marrë vetëm ndeshjet kualifikuese dhe në Ligën e Kombeve.

Kosova – Kroacia 0:6

 

Pas barazimit shumë trimërues ndaj Finlandës (1:1) në ndeshjen historike të 6 tetorit të vitit 2016, shpresat u rritën për rezultat të mirë edhe ndaj Kroacisë në ndeshjen e dytë kualifikuese për Botërorin 2018. Kosova atëbotë luante në Shkodër, në mungesë të një stadiumi të denjë në Kosovë.

Më 6 tetor 2016, Kosova pësoi 6:0 nga Kroacia në “Loro Boriçi” para afro 15 mijë shikuesve. Kroatët kishin shënuar që në minutën e gjashtë, kurse Mario Mangjukiq kompletoi “hat-trickun” për 35 minuta. Tre gola të tjerë Kosova i pranoi në pjesën e dytë për humbje të thellë. Dallimi në paraqitje vlerësohej se nuk ishte i thellë sa e tregon rezultati, por megjithatë Kroacia ia dëshmoi Kosovës se për sukses në kualifikime është e nevojshme edhe përvoja ndërkombëtare. Kosova atëbotë nuk kishte përvojë dhe ekipi ende po konsolidohej. Pjesë e atij procesi është edhe ajo humbje e thellë.

Samir Ujkani ishte në portë dhe kapiten në atë ndeshje, ndërsa kanë luajtur edhe lojtarë si Valon Berisha, Milot Rashica, Bersant Celina, Arbër Zeneli, Leart Paqarada.

Kroacia ishte pa dy lojtarët më të mirë në Shkodër.

“Ka elemente që po i bëjmë mirë, por edhe elemente që po na penalizojnë. Kemi gjeneratë të re, lojtarë të rinj. Në pjesën e parë patëm rastet tona, ndoshta më të mira se kroatët, por na mungoi një gol për të vazhduar me energji më të madhe”, deklaronte pas ndeshjes selektori i atëhershëm Albert Bunjaki. Ndonëse në ekip kishte shumë lojtarë me tipare sulmuese, Bunjaki deklaronte se formacioni ishte defansiv.

Kosova kishte rreshtuar nëntë humbje, ndërsa pika e fituar ndaj Finlandës mbeti e vetmja në ciklin e parë kualifikues. Bunjakit ky bilanc i kushtoi me pozitë.

Azerbajxhani – Kosova 0:0

Image

Fati i Kosovës ishte që kur nisi me ndeshje zyrtare, UEFA e krijoi një garë të re, Ligën e Kombeve. Në edicionin e parë, 2018/19, Kosova nisi garimin në nivelin më të ulët, Ligën D të Ligës së Kombeve. Synimet ishin për vendin e parë në grup, që në fund u arrit. Por ndeshja e parë nuk dha rezultatin e pritur, e sidomos jo paraqitjen. Më 7 shtator të vitit 2018 Kosova barazoi pa gola me Azerbajxhanin në Baku. Rezultati madje vlerësohej i mirë në krahasim me paraqitjen.

“Loja që ka shfaqur Kosova nuk është vlerësuar të jetë ajo që pritej. Por ‘mbulesë’ mund të jetë pika e fituar ndaj kundërshtarit më të fortë të mundshëm në Ligën D të Ligës së Kombeve dhe rivalit të drejtpërdrejtë për vendin e parë në grup”, shkruante “Koha Ditore” më 8 shtator 2018.

Kosova në fund mezi i kishte mbijetuar një ofensive të përfaqësueses vendëse.

“Mendoj se është një pikë e mirë. Jam i lumtur me mentalitetin e shfaqur, kemi punuar shumë në defensivë”, deklaronte Bernard Challandes, selektor i Kosovës.

Se rezultati nuk ishte ndonjë e arritur u dëshmua më 20 nëntor 2018, kur Kosova në Prishtinë fitoi 4:0 ndaj Azerbajxhanit. Ka mbetur në kujtesë tregolëshi i Arbër Zenelit.

Maqedonia e Veriut – Kosova 2:1

Image

Viti 2019 mbetet më i miri i Kosovës. Në kualifikimet për Euro 2020, Kosova ishte deri vonë në garë dhe mori fitoret më të mëdha deri më tani. Por shkëlqimi mungoi kur ishte i nevojshëm, në tetor të vitit 2020.

Falë suksesit në edicionin e parë në Ligën e Kombeve, Kosova ishte në plejof për kualifikim në Euro 2020. Duhej që ta kalonte fillimisht Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale të plejofit. Ndeshja ishte luajtur më 8 tetor 2020 në Shkup dhe Maqedonia V. kishte fituar 2:1. Maqedonia V. më pas e kishte mposhtur Gjeorgjinë në Tbilisi dhe kishte siguruar biletën për në Evropian. Gjithë tifozët e Kosovës prisnin që ajo biletë të ishte e Kosovës. Dhe dëshpërimi për humbjen nga Maqedonia e Veriut ishte jashtëzakonisht i madh. Mbetet humbja më e dhimbshme e Kosovës deri më tani dhe rasti më i madh i humbur.

Të gjithë te Kosova mbetën të dëshpëruar nga humbja. Shumë e drejtuan gishtin nga Vedat Muriqi, Milot Rashica e Amir Rrahmani që munguan në atë ndeshje. Ishin rrethana të tjera, kohë pandemie dhe jo të gjithë lojtarët ishin në gjendje t’i përgjigjeshin ftesës së Challandesit.

Megjithatë, rasti më i madh deri më tani humbi për Kosovën.

Kosova – Gjeorgjia 1:2

Image

Dëshpërimi nuk u kalua lehtë, ndërsa shpresat për sukses u bartën në vitin 2021 dhe në kualifikimet për Botërorin 2022.

Humbjet 3:0 nga Suedia dhe 3:1 nga Spanja disi ishin të pranueshme. Por më 12 tetor 2021 në “Fadil Vokrri” erdhi humbja shumë e rëndë nga Gjeorgjia, 2:1. Pritej reagimi i Kosovës në atë ndeshje, ndërsa rezultati e paraqitja ishin dëshpërues. Me humbje, Kosova ra në pozitën e fundit në grup.

“Kemi luftuar për fitore dhe të japim maksimumin. Por në fund doli që ndoshta nuk e kemi dhënë maksimumin. Është normale që humbja dhemb shumë”, deklaronte kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Ai e krahasonte humbjen nga Gjeorgjia me atë nga Maqedonia e Veriut.

Kualifikimet për Botërorin 2022 ishin dëshpëruese për Kosovën. Përfaqësuesja përfundoi e fundit me vetëm pesë pikë.

Kosova – Andorra 1:1

Image

“Obligim” është vlerësuar fitorja ndaj Andorrës në ndeshjen e së martës mbrëma në “Fadil Vokrri”. Nuk ishte i pakët numri i atyre që prisnin fitore me shumë gola. Përballë Kosovës ishte një përfaqësuese shumë e vogël dhe plotësisht inferiore. Por jo lehtë e kalueshme. Fusha e dëshmoi këtë.

Në fund rezultati ishte 1:1 dhe kështu obligimi nuk u krye.

Barazimi me Andorrën ka sjellë dëshpërim të madh te lojtarët e sidomos te tifozët. Shpresat për kampanjë të suksesshme në kualifikimet për Euro 2024 morën goditje shumë të fuqishme që në ndeshjen e dytë. Rikuperimi synohet në qershor, por mbetet të shihet nëse ai vërtet do të realizohet. Barazimi dëshpërues me Andorrën, natyrisht, lë vend për të dyshuar.