Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Xhudos kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, synimi i të cilit është integrimi i arteve marciale në programet trajnuese të FSK-së.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se përmes këtij programi pos që investohet në përgatitjen e oficerëve e ushtarakëve, angazhohen edhe xhudistët kosovarë në institucione të sigurisë.
“Qëllimi i këtij koncepti është në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, ashtu që në kuadër të investimit në arsimimin dhe trajnimin e ushtarëve në fushën operacionale, përmes angazhimit të xhudistëve tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, të aftësohen ushtarakët tanë edhe në aplikimin e arteve marciale, si metodë për vetëmbrojtje, neutralizim të kundërshtarit, por dhe nxitje të shpirtit garues ndërmjet ushtarëve. Përmes këtij programi ambicioz, synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në garat botërore multi-disiplinare të Këshillit Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.