Sport

Basketboll, Bashkimi fiton finalen e parë ndaj Prishtinës

Basketbollistet e Bashkimit e kanë fituar ndeshjen e parë të serisë finale ndaj Prishtinës në plejofin e Superligës së femrave. Në duelin e zhvilluar të martën mbrëma në palestrën “13 Qershori” ku Bashkimi ishte vendas, ekipi nga Prizreni triumfoi me rezultatin 92:76.

Skuadra e Bashkimit dominoi në përgjithësi ndeshjen, ndërsa i fitoi tre çerekët e parë për ta siguruar fitoren dhe avancuar 1:0 në serinë finale.

Khadija Brown-Haywood ishte më e dalluara te Bashkimi, duke e përfunduar ndeshjen me 22 pikë të shënuara. Me lojë të mirë tek ekipi vendas, u veçuan edhe Aulona Muhadri e Arbnorë Përquku që realizuan “double-double”. Muhadri pati 15 pikë e 11 kërcime, ndërsa Përquku shtoi 19 pikë e 10 asistime.

Në anën tjetër, te Prishtina më efikasja ishte Adrienne Godbold me 25 pikë të shënuara, e përcjell nga Sarah Mgbeike (19) e Zërina Shatri (14).

Ndeshja e dytë e kësaj serie finale zhvillohet të premten mbrëma në Prishtinë.