Sport

Retegui, pika e ndritshme tek Italia që sërish nuk arrin të shkëlqejë

Mateo Retegui
Foto: AP
 

Debutimi mbresëlënës i Mateo Reteguit për Italinë i dha njëfarë shkëlqimi asaj që në thelb ishte një paraqitje e zbehtë nga kampionia në fuqi në fillimin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Më pak se dy vjet pasi mundi Anglinë me penallti për të triumfuar në “Euro 2020”, Italia nisi kampanjën për të arritur në “Euro 2024” me humbje 2:1 në shtëpi ndaj të njëjtës kundërshtare - Anglisë. Kjo disfatë e Italisë u përcoll me fitore 2:0 ndaj Maltës, por ka shumë gjëra për t’u përmirësuar në ekipin e trajnerit Roberto Mancini.

“Ne mund të kishim dhe duhej të kishim bërë më mirë. Në çfarë? Pothuajse gjithçka”, pranoi Mancini. “Ne i bëmë disa gjëra si duhet dhe të tjerat më pak. Ishte e rëndësishme të fitonim ndaj Maltës, por duhet të kishim shënuar më shumë gola”.