Federata Evropiane e Karatesë (EKF) jo vetëm që nuk ka marrë përgjegjësinë për mbetjen e karateistëve kosovarë jashtë Kampionatit Evropian, por ka akuzuar indirekt Qeverinë e Kosovës për këtë.
Këtë javë në Guadajalara të Spanjës është mbajtur Kampionati Evropian për seniorë. Karateistët e Kosovës udhëtuan për në Guadajalara, por mbetën pa garuar, pasi autoritetet spanjolle nuk lejuan simbolet e shtetit të Kosovës. Për këtë diskriminim ka pasur reagime nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata kosovare e karatesë.
Por EKF-ja nuk ndihet fare përgjegjëse që ka lejuar këtë diskriminim të autoriteteve spanjolle. Spanjolli Antonio Espinos, që drejton si EKF-në ashtu edhe Federatën Botërore të Karatesë, ka thënë se karateistët kosovarë janë udhëzuar nga qeveria kosovare të heqin dorë nga gara.
Karateistët kosovarë kanë mbetur edhe jashtë Evropianit për të rinj të mbajtur në Qipro për arsye të njëjtë. Dhe EKF-ja ishte deklaruar ngjashëm, duke fajësuar Kosovën.
“EKF-ja bëri të pamundurën për të siguruar që garuesit nga Kosova të kishin kushtet më të mira për të marrë pjesë në ngjarjen në Guadalajara, ashtu si bëmë me pjesën tjetër të 48 delegacioneve nga e gjithë Evropa që morën pjesë në ngjarje. Mirëpo, nga përfaqësueset e delegacionit të Kosovës jemi njoftuar se janë udhëzuar nga qeveria e tyre që të heqin dorë nga pjesëmarrja në ngjarje, pasi kishin arritur këtu dhe ishin në Guadalajara me pjesën tjetër të delegacioneve pjesëmarrëse në kampionat”, ka thënë Espinos për “insidethegames”.
Vite më parë, Kosova ishte paraqitur në dy ngjarje të mëdha të karatesë në Spanjë, ndërsa në Botëror dhe Evropiane ishte paraqitur me simbole. Por situata ka ndërruar për të keq. Karateja më nuk është sport olimpik dhe me ndikimin e IOC-së, garantimi i të drejtave për karateistët kosovarë po del të jetë shumë sfidues.
Espinos ka drejtuar gishtin kah Qeveria e Kosovës për rastin e fundit të karateistëve.
“Ne e konsiderojmë të papranueshëm përdorimin e sportit për agjendat politike dhe shpresojmë që sportistët të mund të ushtrojnë sportin e tyre pa ndonjë formë të presionit politik nga qeveritë e tyre”, ka thënë Espinos.