Sport

Xhaka largohet kryelartë nga “Karagjorgje”

Si kapiten i vërtetë, Granit Xhaka ka udhëhequr në fushë Zvicrën në fitoren e madhe e të lehtë ndaj Bjellorusisë (5:0). Zvicra ishte favorite e madhe dhe fitorja e saj pritej. Por ajo megjithatë, mbetet e madhe, kryesisht për faktin se ku u luajt ndeshja.

Bjellorusia, që ishte nikoqire e ndeshjes së parë kualifikuese për “Euro 2024”, vendosi që sfidën ta organizojë në stadiumin në qendër të Novi Sadit të Serbisë, “Karagjorgje”. Stadiumi i ndërtuar fillimisht gati një dekadë më parë, ishte i qetë. Ndeshja u luajt pa praninë e shikuesve dhe të vetmit që dëgjoheshin ishin lojtarët në fushë. Xhaka është dëgjuar jo rrallë. Por ka lënë gjurmën e madhe edhe me paraqitjen në fushë.

Si kapiten, ai ka dhënë këshilla të vazhdueshme për bashkëlojtarët. Ka mbuluar anën e majtë të mesfushës, ndërsa është gjendur thuajse kudo në fushë. Ka qenë i përfshirë në aksionet e golave, ka shënuar vetë e po ashtu ka asistuar. E kur ishte nevoja gjendej edhe në mbrojtje.

Ndeshja është mbyllur në pjesën e parë. Për më pak se gjysmë orë ne fakt. Paraqitjen shumë të zbehtë të Bjellorusisë e kanë shfrytëzuar maksimalisht lojtarët e Zvicrës. Fillimisht rrezikoi Bjellorusia që goditi traversën në minutën e dytë. Por Zvicra reagoi menjëherë në minutën e katërt, kur realizoi Renatto Steffen. I njëjti lojtar shënoi në minutën e 17-të dhe të 29-të. Ai ishte protagonisti i mbrëmjes së ftohtë, të përcjellë herë pas here me shi, në stadiumin shumë të vjetër në Novi Sad. Xhaka ishte i përfshirë në golin e dytë dhe të tretë. Te goli i dytë dha pasimin nga krahu i majtë që u pasua me gol. Në golin e tretë dha pasimin në zonë për aksionin që u vazhdua dhe përfundoi me top në rrjetë.

Vetëm pas golit të tretë të Zvicrës, Bjellorusia ka kërkuar më shumë. Pa bërë ndonjë gjë.

Vetë kosovari e “mbyti” ndeshjen me golin e shënuar në minutën e 62-të. Ai realizoi nga distanca me gjuajtje të ultë. Menjëherë në minutën e 65-të dha pasim maestral për Zeki Amdounin që shënoi për 5:0.

Kapiteni i Zvicrës, Xhaka, ka zhvilluar ndeshje thuajse pa gabime, për ta lëshuar kryelartë fushën e stadiumit “Karagjogje”. U largua qetë e ngadalë në minutën e 66-të, pasi dëshmoi superioritetin.

Zvicra vetëm të premten mbrëma udhëtoi për në Novi Sad dhe lojtarët e saj fushën e stadimit e shkelën së pari rreth 40 minuta pa nisur ndeshja. I pari doli Xhaka që udhëhoqi skuadrën drejt fushës e po ashtu në ngrohjet për ndeshje.

Nuk është raportuar për telashe për ekipin helvetik, me gjithë drojën për ndonjë tension. Njëri prej zëdhënësve të federatës zvicerane ka thënë për KOHËN se nuk ka pasur asnjë “çështje” gjatë qëndrimit në Serbi, të paktën deri në zhvillimin e ndeshjes.

Në fakt, deri dy orë para ndeshjes rreth stadiumit as që është hetuar se luhet një takim i vlerësuar me “rrezikshmëri të lartë”. Nga pjesëtarë të sigurisë ishte e mbyllur vetëm rruga që kalonte pranë hyrjes zyrtare. Por edhe ajo ishte shumë e frekuentuar. Gjatë ndeshjes, prania e policisë ishte e madhe si në stadium, ashtu edhe përreth tij. Ka pasur policë edhe në objektet përreth, në pika të larta.

Ndeshja në “Karagjorgje”, por edhe i gjithë grupi I i kualifikimeve për “Euro 2024” është shumë politik. Për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës, Bjellorusia nuk lejohet nga UEFA që ndeshjet t’i luajë në territorin e saj. Por për befasinë e Zvicrës dhe të shumë të tjerëve, Bjellorusia ka vendosur që ndeshjen ndaj helvetikëve ta organizojë në territorin e Serbisë, përkatësisht në Novi Sad. Në Novi Sad, Bjellorusia i ka luajtur edhe tri ndeshje vitin e kaluar. Por duke ditur qasjen e serbëve ndaj Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, pak kush ka mundur të pres që kjo ndeshje do të luhej pikërisht në Serbi. Bjellorusia vendosi për Novi Sad dhe UEFA e pranoi këtë vendim të saj.

Xhaka e Shaqiri janë figura jo të dashur të Serbi. Dy shqiptarët e Zvicrës janë kujdesur që dy herë ta dërgojnë Serbinë në shtëpi nga Botërori. Këtë e bënë në “Rusia 2018” kur golat e fitores ndaj Serbisë, Shaqiri e Xhaka i festuan duke formuar figurën e shqiponjës dykrenare. Zvicra e Serbia ishin në grup edhe në “Katari 2022”. Sërish fitoi Zvicra dhe e eliminoi Serbinë, ndërsa protagonist ishin Shaqiri e Xhaka. Shaqiri shkëlqeu në fushë, ndërsa Xhaka pati përplasje të shumta me lojtarët serbë. Në fund veshi fanellën e Ardon Jasharit, duke e vendosur mbiemrin “Jashari” në gjoks. Ky u vlerësua provokim nga serbët, por jo edhe nga UEFA.

Ditë më parë UEFA-s i është kërkuar që ta përjashtojë Bjellorusinë nga garat për shkak të përkrahjes së Rusisë. UEFA këtë javë ka thënë se në fillim të prillit do të shqyrtohet vendimi për përjashtimin e Bjellorusisë. Kjo e lë të hapur mundësinë që Bjellorusia të luajë vetëm dy ndeshje kualifikuese për Euro 2024. Të martën bjellorusët takohen me Rumaninë në Bukuresht. Ndeshjet e tjera janë në qershor, ndërsa vendimi i UEFA-s pritet të merret shumë më herët.

Fakti se Kosova është në grup, e bën edhe më të veçantë grupin I. Bjellorusia nuk e njeh Kosovën, ndërsa është e qartë se ndeshjen eventuale me “Dardanët” nuk do ta organizojë në Serbi. Me shumë mundësi ndeshja Bjellorusi – Kosovë, nëse UEFA nuk e përjashton Bjellorusinë, do të luhet në Turqi.

Pos Bjellorusisë, Kosovën nuk e njeh as Rumania. Ka pasur zëra në Rumani që ndeshjet me Kosovën të anulohen për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Rumania. Por një “ide” e tillë është përmendur vetëm njëherë, ndërsa rumunët janë të vetëdijshëm se një gjë e tillë as që mendohet.

Me shumë vëmendje priten edhe ndeshjet e Zvicrës me Kosovën, për shkak të shqiptarëve që janë te Zvicra. Xhaka e Shaqiri janë përkrahur nga të gjithë pas ndeshjeve me Serbinë, por nuk dihet saktësisht cili do të jetë reagimi i tifozëve në Kosovë për ndeshjet e Zvicrës me “Dardanët”.

Gjithsesi, Xhaka, me paraqitjen impresive në Novi Sad, edhe njëherë ka bërë krenarë gjithë shqiptarët.