Sport

Italia nis mbrojtjen e titullit ndaj Anglisë

Italia do të luajë kundër Anglisë derisa do të përpiqet që të shkojë deri në fund e ta mbrojë trofeun e fituar të Evropianit të fundit. Ndeshja ndërmjet Italisë dhe Anglisë do të zhvillohet të enjten në orën 20:45, në stadiumin “Diego Armando Maradona” të Napolit.

Ky ballafaqim i takon Grupit C kualifikues, pjesë e të cilit janë edhe Maqedonia e Veriut, Ukraina dhe Malta. Italia, fituese e “Euro 2020”, nuk arriti të kualifikohet në Kupën e Botës në Katar, ndërsa përzgjedhësi Roberto Mancini, shpreson në përgjigje sa më të mirë, me fitore kundër Anglisë, finalistes së Evropianit të kaluar. Përzgjedhësi i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate, është në presion të madh dhe i duhet fitorja.

Presioni i Southgatet ka nisur qëkur u eliminua nga Botërori në çerekfinale, nga përfaqësuesja e Francës. Harry Kane me shokë kanë pasur gjithmonë vështirësi ndaj Italisë, përfaqësueses ndaj së cilës e kërkojnë fitoren e parë në 11 vjet.

Fitorja e fundit e Anglisë kundër Italisë ishte në vitin 2012, ndërsa nuk ka fituar ndaj italianëve në gjashtë ballafaqimet e fundit. Në rast se sulmuesi i Anglisë, Kane, arrin të shënojë gol, do të ishte i 54-ti për të në nivel përfaqësuesesh. Do ta kalonte në këtë listë Wayne Rooneyn dhe do të bëhej golashënuesi më i mirë në histori të Përfaqësueses së Anglisë.