Sport

Kosova pritet t’i ndjekë rrugët ligjore pas diskriminimit nga Spanja

Shtatë karateistët e Kosovës e kanë mbajtur të veshur uniformën e Kosovës në sallën ku të mërkurën nisi Evropiani i Karatesë. Por, karateistët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në Evropianin që po mbahet në Guadalajara të Spanjës. Spanja nuk ka lejuar paraqitjen e karateistëve të Kosovës me simbole të shtetit. Ekipi kosovar do të niset për në Kosovë të enjten nga Madridi. Karateistët e Kosovës janë të dëshpëruar me diskriminimin që i është bërë nga autoritetet spanjolle.

“Janë shumë të zhgënjyer sportistët tanë. Jemi edhe ne të gjithë të zhgënjyer që nuk u trajtuam të barabartë me garuesit e tjerë pjesëmarrës në Evropian. Ky Evropian ka shërbyer edhe për kualifikim në Lojërat Evropiane dhe këta garues kanë humbur këtë mundësi. Kanë derdhur djersë për t’u përgatitur për këtë garë”, ka thënë selektori i Kosovës në karate, Ylber Syla për KOHËN të mërkurën.

Edhe një prej shtatë garuesve që mbeti jashtë Evropianit të karatesë për seniorë, Fortesa Orana shprehu zhgënjimin e saj.

“Ishte një vit shumë i rëndësishëm për mua, gjithashtu një vit shumë i vështirë, ishte një vit me shumë pengesa, ushtrime, sakrifica, dëshira, ndjenja, të cilat na mohuan të drejtën për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë. Kosova nuk lejohet të marrë pjesë me simbole shtetërore. Jam shumë i mërzitur me këtë lajm. Jam shumë e dëshpëruar pasi kam punuar për këtë ëndërr për një kohë të gjatë në pritje të një medalje evropiane. Kjo është një pengesë shumë e madhe për një sportist kur lufton që ëndrra e tij të fitojë, nuk është hera e parë. Unë jam ndalur, mjaftojnë tre evropianë se kjo politikë që po përdoret në sport është shumë e padrejtë. Shpresoj që kjo politikë në sport të marrë fund, lus Zotin të më japë durim dhe qetësi në shpirt”, ka shkruar Orana në “Facebook”.

Me reagim të gjatë ka dalë edhe zëvendës ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ajo ka treguar se në vitin 2018, Qeveria e Spanjës ua pati garantuar delegacioneve sportive të Kosovës pajisja me viza spanjolle si dhe u autorizuan për reprezentim të Kosovës me simbole shtetërore në gara që zhvillohen në Spanjë, përfshirë këtu himnin dhe flamurin.

“Aso kohe, vendimi u komunikua për publikun nga Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, z. Josep Borell, përfaqësuesi i lartë i BE-së dhe ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi. Ky vendim ishte reagim të cilin Qeveria e Spanjës e bëri pas vështirësive me të cilat delegacioni i Kosovës u përballë për pajisje me viza për pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare, Tarragona 2018. Për një kohë, pjesëmarrja e Kosovës në aktivitete sportive që u zhvilluan në Spanjë, nuk ishte çështje. Mirëpo që nga fillimi i këtij viti, sportistët tanë po trajtohen ndryshe nga organizatorët spanjollë. Ashtu siç ndodhi dje, delegacionit të karatesë së Kosovës iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Karatesë me simbole shtetërore”, shkruan në reagimin e Osmanit.

Osmani ka thënë se do t’i ndjekin edhe anët ligjore për këtë diskriminim nga Spanja.

“Si Ministri, në këtë proces kemi qenë pranë Federatës së Karatesë së Kosovës gjatë gjithë kohës. Tani, nëpërmjet memorandumit të bashkëpunimit që e kemi nënshkruar me Komitetin Olimpik të Kosovës për shërbime ligjore, do të shikojmë mundësinë për të kërkuar të drejtën tonë edhe në instanca ligjore”, ka thënë Osmani.

Javë më parë karateistët kishin mbetur jashtë edhe Evropianit për të rinj, të mbajtur në Qipro. Autoritetet qipriote kishin kushtëzuar paraqitjen e Kosovës me heqjen dorë nga simbolet e shtetit. Kjo nuk ishte pranuar nga përgjegjësit e karatesë kosovare. Spanja, ashtu si Qipro nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por në vitin 2019 pikërisht në Guadalajara ishte mbajtur Evropiani për seniorë. Dhe në atë Evropian, Kosova ishte paraqitur e barabartë dhe me të gjitha simbolet. Evropiani është garë kualifikuese edhe për Lojërat Evropiane Krakovia 2023. Me reagim të mërkurën ka dalë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh është duke përjetuar diskriminimet e sportistëve tanë nga shtetet, të cilat ende e përziejnë sportin me politikën. Së fundi dhe jo për herë të parë, Spanja sërish bëhet faktor, duke rikthyer “regjimin” e vjetër për sportistët tanë, pavarësisht se disa vjet më parë ishte treguar korrekte në këtë drejtim dhe pikërisht me sportistët e njëjtë”, thuhet në reagimin e KOK-ut.

Sipas KOK-ut, institucionet vendase nuk e kanë lejuar organizatorin që të shfaqë simbolet shtetërore të Kosovës.

“KOK, që është në kontakt me FKK-në, ka informuar menjëherë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), nga të cilët pret reagim të shpejtë, në mënyrë që karateistët tanë të mos e humbin edhe një garë të rëndësishme, siç ndodhi javë më parë me Evropianin e të rinjve në Qipro”, thuhet tutje në reagim.