Selektori i Shpresave të Gjermanisë, Antonio di Salvo ka vlerësuar lart sulmuesin kosovar, Mërgim Berisha. Ai në konferencën e përbashkët për media me selektorin e Gjermanisë, Hansi Flick ka thënë se, Berisha është sulmues i fort para portës. Berisha po të hënën ka nisur përgatitjet me Gjermaninë për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, atë kundër Perusë të shtunën dhe Belgjikës më 28 mars. Berisha është grumbulluar për herë të parë me ekipin A të Gjermanisë.
“Mërgim Berisha është një lojtar shumë i zoti për të punuar dhe për të shënuar me shpinë pas portës. Nga ndeshjet në Bundesligë mund të shihet se ai mund të afirmohet dhe është një alternativë e mirë”, ka thënë Di Salvo. Sulmuesi 24-vjeçar me fanellën e Augsburgut në Bundesligë ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar katër herë në 19 ndeshje. Ndërkohë, selektori Flick ka thënë se të gjithë lojtarët e grumbulluar, përfshirë Berishën pritet ta kenë rastin të luajnë në dy miqësoret. “Të gjithë lojtarët e ardhur do ta bëjnë debutimin e tyre. Por, ne duhet të presim dhe të shohim se si ata prezantojnë veten dhe nëse kanë kuptim”, ka thënë Flick.