Sport

Ujkani e Bytyqi besojnë në kualifikimin e Kosovës

Zymer Bytyqi - Kosova

Portieri, Samir Ujkani, dhe sulmuesi i krahut, Zymer Bytyqi, janë optimistë që përfaqësuesja e Kosovës do të kualifikohet në Euro 2024. Kosova ka nisur të hënën përgatitjet për ndeshjet e para kualifikuese për Evropianin e vitit tjetër. Ujkani e Bytyqi kanë folur për faqen zyrtare të FFK-së, pas stërvitjes së mbajtur në Kampin Nacional në Hajvali. “Kemi filluar të përgatitemi për dy ndeshjet e para. Është shumë e rëndësishme të fillojmë mirë, sepse qëllimi ynë është të besojmë te kualifikimi edhe pse e dimë se është shumë e vështirë, pasi grupi është shumë i rrezikshëm. Kemi shumë respekt për kundërshtarët, por çdo lojë për neve është finale dhe sigurisht se në ndeshjet në shtëpi me tifozët tanë do të jemi edhe më të fortë. Besoj se mund të arrijmë qëllimin tonë për t’u kualifikuar.

Sikur Izraeli edhe Rumania, por edhe të gjitha ekipet tjera janë kandidatë për t’u kualifikuar dhe për këtë arsye them se është grup shumë i rrezikshëm. Në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin dhe grupi duhet të jetë në 100 përqindshin e tij në mënyrë që të kemi gjasa për kualifikim. Me forcat tona, bashkë me tifozët tanë të cilët do të na shtyjnë përpara mendoj se ka ardhur koha që duhet të besojmë në kualifikim”, ka thënë Ujkani.

Ai pritet të jetë rezervist i Arijanet Muriqit. Ujkani edhe në nivel klubesh ka kohë që është rezervist. Ndërkohë Zymer Bytyqi po lufton për hapësirë te Olympiacosi grek, ndërsa paraqitjet me Kosovën mund t’i japin shtytjen e duhur. “Pres që të kemi sukses dhe të mund të arrijmë në Evropian. Kemi një grup të mirë dhe besoj që nëse e japim maksimumin tonë mund ta arrijmë kualifikimin. Ndeshja me Izrealin do të jetë shumë e vështirë por edhe ne i kemi lojtarët e mirë dhe e kemi një plan që të shkojmë atje për t’i marrë tri pikë. Jam në formë të mirë e po ashtu edhe lojtarët e tjerë që janë këtu janë në formë të mirë dhe po kalojnë mirë në klubet e veta”, ka thënë Bytyqi. Përfaqësuesja të martën paradite e zhvillon stërvitjen e radhës. Ndeshja e parë është me Izraelin në Tel Aviv, të shtunën.