Nga Federata e Futbollit të Zvicrës kanë përsëritur se nuk ishin të përfshirë në vendimin e Bjellorusisë për ta organizuar ndeshjen me Zvicrën në Novi-Sad të Serbisë. Bjellorusia e Zvicra luajnë të shtunën mbrëma në Novi-Sad, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Bjellorusia duhet të luaj në terren neutral dhe ka vendosur për Serbi.
“Si zakonisht, ne nuk ishim të përfshirë në këtë vendim”, ka thënë Adrian Arnold, zëdhënës i Federatës zvicerane. Deklaratën e tij e ka publikuar të hënën televizioni zviceran SRF. Granit Xhaka pritet të jetë shqiptari i vetëm i Zvicrës në këtë ndeshje. Xherdan Shaqiri e Andi Zeqiri mungojnë për shkak të lëndimeve.
“Ne kemi lojtarë me rrënjë nga Kosova. Në aspektin e situatës politike mes Kosovës dhe Serbisë, ne ishim të befasuar me vendimin e UEFA-s”, ka thënë Arnold. Xhaka e Shaqiri ishin në qendër të fyerjeve të tifozëve serbë në Botërorin në Rusi dhe atë në Katar, vitin e kaluar. Ndeshja në Novi-Sad do të luhet pa shikues, ndërsa në federatën zvicerane nuk presin të ketë telashe. “Federata serbe ka qenë shumë bashkëpunuese, shumë përkrahëse dhe kolegiale. Drejtuesit e saj na kanë treguar të gjitha dhe na kanë thënë se do të na qëndrojnë përkrah. Ne presim që çdo gjë të shkojë mirë, që do të jetë një ndeshje futbolli ashtu si duhet të jetë”, ka theksuar Arnold. “Ne udhëtojmë më Novi-Sad me ndjenjë të mirë”, ka përfunduar zëdhënësi i federatës zvicerane.