Mërgim Berisha është i lindur në Gjermani, ndërsa ka rrënjë nga Kosova. Tashmë është sulmuesi i suksesshëm në Bundesligën gjermane. Dhe përfundimisht do të ishte shumë i vlefshëm për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Te Kosova kanë shpresuar gjatë që Berisha do të vendoste për përfaqësuesen e vendit të origjinës. Por 24-vjeçari kishte shpresa dhe ëndrra të tjera. Ka ëndërruar të bëhet pjesë e përfaqësueses A të Gjermanisë.
Kjo ëndërr iu realizua të premten.
“Jam shumë i lumtur për nominimin – është ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Berisha pasi selektori i Gjermanisë, Hansi Flick, publikoi listën për dy ndeshjet e këtij muaji.
Berisha është i lindur në Berchtesgaden, ndërsa prej verës po luan për Augsburgun e Bundesligës. Augsburgu i ka pasur vetëm katër lojtarë në përfaqësuesen gjermane deri më tani. Dhe Berisha i bashkohet këtij grupi elit.
Natyrisht në aspektin sportiv ftesa nga Gjermania është sukses shumë i madh për Mërgimin. Gjermania është prej përfaqësueseve më të mëdha në botë dhe vitin tjetër e organizon Evropianin. Paraqitja eventuale me Gjermaninë në Evropian do ta rriste dukshëm vlerën e Berishës si futbollist.
“Kam punuar gjatë dhe fort për këtë. Por po ashtu e di që nuk kam arritur ende asgjë. Po shikoj para drejt sfidës për të qenë në gjendje të dëshmojë veten në ekipin nacional. I falënderoj të gjithë ata që gjithnjë kanë besuar tek unë dhe që më kanë përkrahur. Do të bëj çdo gjë për ta shfrytëzuar këtë shans”, ka shtuar Berisha. Ai ka folur për sajtin zyrtar të Augsburgut.
Gjermania këtë muaj luan miqësore me Perunë dhe Belgjikën. Më herët për Gjermaninë ka luajtur mbrojtësi i qendrës, Shkodran Mustafi. Ai madje kishte fituar titullin e botës me Gjermaninë në vitin 2014.
Fanella e Gjermanisë nuk është e panjohur për Mërgim Berishën. Ai i ka luajtur 13 ndeshje për U21 të Gjermanisë, ndërsa ka fituar titullin e Evropës për këtë grupmoshë. Kishte luajtur startues në të gjitha gjashtë ndeshjet në Evropian, duke përfshirë finalen.
E panjohur për Berishën është fanella e Kosovës dhe e tillë do të mbetet.
Tek Augsburgu janë shprehur të lumtur që Berisha është ftuar nga Gjermania.
“Mërgimi absolutisht e meriton nominimin, falë paraqitjeve të fuqishme me fanellën e Augsburgut. Ai e di ku është porta dhe mund të përdorë forcën për të shfaqur veten kundër lojtarëve me përvojë ndërkombëtare. Ftesa po ashtu tregon se në Augsburg mund të zhvillohet mirë si lojtar i ri. Ne shpresojmë që Mërgimi do të fitojë rastin të luajë ndeshjet e para me përfaqësuese”, ka thënë drejtori sportiv i Augsburgut, Stefan Reuter.
Gjermania më 25 mars luan me Perunë në Mainz. Më 28 mars në Koeln takohet me Belgjikën.
Ndonëse i lindur në Gjermani, Berisha është zhvilluar si futbollist në Austri te Salzburgu. Ka pasur periudha huazimi te LASK-u, Magdeburgu e Altachu, por shkëlqimin e parë e kishte te Salzburgu. Në vitin 2021 u transferua te Fenerbahçe, ndërsa verën e kaluar u transferua në formë huazimi tek Augsburgu. Lëvizja doli të jetë më se e qëlluar.
Në 18 paraqitje në Bundesligë këtë edicion, Berisha ka shënuar tetë gola, ndërsa i ka edhe katër asistime. Në Superligën turke, para huazimit, kishte shënuar një gol në një paraqitje.
Forma e mirë e shfaqur në Bundesligë i është shpërblyer Berishës me ftesë nga Gjermania, superfuqia e futbollit. Me paraqitje në miqësore, Berisha nuk e humb të drejtën që të luajë për Kosovën në të ardhmen. Por gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të vogla. Kosova ka bërë përpjekjet e saj për Berishën, por top-sulmuesi kishte plane të tjera për karrierën e tij.