2 perditesime
23:52

Arsenali eliminohet, Sportingu kompleton çerekfinalen e Ligës së Evropës

Sportingu është skuadra e fundit që është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Evropës, nivelit të dytë të garave kontinentale për klube të futbollit.

Të enjten mbrëma në Londër, Sportingu fitoi ndaj Arsenalit pas gjuajtjes së penalltive.

Ndeshja e parë në Lisbonë kishte përfunduar 2:2, ndërsa në Londër rezultati pas kohës së rregullt ishte 1:1. Shifrat nuk ndryshuan as pas dy vazhdimeve nga 15 minuta.

Kështu ndeshja u vendos me gjuajtjet nga pika e bardhë. Lojtarët e Sportingut ishin të saktë në pesë tentimet. Ndërkohë Gabriel Martinelli i Arsenalit dështoi në serinë e katërt. Goditjen e tij e ndali portieri i ekipit portugez.

Granit Xhaka kaloi në epërsi Arsenalin në minutën e 19-të. Mesfushori shqiptar shënoi gol me goditje nga zona pas një topi të kthyer. Ndërkohë rezultatin në 1:1 u barazua në minutën e 62-të. Pedro Gonçalves shënoi eurogol me goditje thuajse nga gjysma e fushës. Shifrat më nuk ndryshuan në kohën e rregullt prej 90 minutave dhe pas vazhdimeve.

Në çerekfinale janë kualifikuar edhe Bayer Leverkuseni, Roma dhe skuadra belge Unione Saint-Gilloise. Leverkuseni fitoi 2:0 në udhëtim te Ferencvaroshi dhe me rezultatin e përgjithshëm 4:0 avancoi tutje.

Roma barazoi pa gola në udhëtim te Real Sociedadi, por avancoi falë fitores 2:0 në ndeshjen e parë. Ndërkohë Union Saint-Gilloise fitoi 3:0 ndaj Union Berlinit për të kaluar në çerekfinale. Ndeshja në Berlin kishte përfunduar 3:3.

Më herët të enjten në çerekfinale janë kualifikuar edhe Manchester Unitedi, Juventusi, Feyenoordi dhe Sevilla.

Shorti i çerekfinales do të hedhet menjëherë të premten prej orës 13:00. Dhe faza çerekfinale pritet të jetë shumë interesante me skuadra me nam në Evropë.

Edhe në Ligën e Konferencës janë përcaktuar skuadrat çerekfinaliste të enjten. Anderlechti, Genti, West Ham Unitedi, Nice, Fiorentina, AZ, Lech Poznan dhe Baseli janë tetë skuadrat më të mira në Ligën e Konferencës, nivelin e tretë të garave evropiane për klube.

Shorti i çerekfinales së Ligës së Konferencës tërhiqet të premten prej orës 14:00.

22:57

Shkon në vazhdime ndeshja Arsenal-Sporting

Ka shkuar në vazhdime ndeshja në mes të Arsenalit dhe Sportingut, në kuadër të një të tetës së finales në Ligën e Evropës.

90 minutat e kohës së rregullt u mbyllën baras 1:1, dhe me barazimin 2:2 në ndeshjen e parë, tash fituesi do të kërkohet në dy pjesët shtesë me nga 15 minuta.

Tek Arsenali, golin e realizoi Granit Xhaka në minutën e 19-të, pas një topi të kthyer.

Ndërsa rezultatin e barazoi Pedro Goncalves në minutën e 62-të me një supergol nga mesi i fushës.

 

21:22

Xhaka kalon në epërsi Arsenalin

Arsenali ka kaluar në epërsi ndaj Sportingut, në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales në Ligën e Evropës.

Për 1:0 ka shënuar Granit Xhaka në minutën e 19-të.

Ai shënoi me goditje nga zona, pas një topi të kthyer.

Arsenali po udhëheq 3:2 në rezultatin e përgjithshëm.