Sport

Lazio mund ta blejë për 4 milionë euro Ermal Krasniqin

Ermal Krasniqi mund të shitet për 4 milionë euro nga Cluji te skuadra e Lazios. Kështu ka thënë menaxheri rumun i lojtarëve, Giovani Becali.

Ai ka thënë se për Krasniqin interesim ka shprehur Lazio.

Sulmuesi 24-vjeçar pati paraqitje të mira me Clujin në dy përballjet kundër Lazios në Ligën e Konferencës.

“Një klub është i interesuar për Krasniqin. Unë kam një shok me origjinë shqiptare që ka pozitë në klub. Krasniqi është lojtar i rëndësishëm. Është vetëm 24-vjeçar. Është surprizë e Clujit dhe vlerësohet rreth 4 milionë euro”, ka thënë Becali për “Fanatik”.

Mediumi “spotmedia.ro” ka zbuluar se Lazio është klubi që ka kërkuar transferimin e Krasniqit. Në Lazio drejtor sportiv është Igli Tare.

Krasniqi u shit për 200 mijë euro nga Ballkani te skuadra e Clujit. Ballkani zotëron 15 për qind të kartonit të futbollistit.

24-vjeçari ka katër gola dhe një asistim në nëntë ndeshje të zhvilluara.