Nëpërmjet një komunikate për shtyp, të lëshuar të hënën, skuadra e Llapit ka reaguar për incidentin që ndodhi në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Të dielën, Llapi e mposhti Ballkanin 3:2, ndërsa pas ndeshjes tifozët mysafir shkulën karriget e stadiumit dhe tentuan të përleshen me ata vendas. Madje, pati edhe të arrestuar si dhe të lënduar në këtë incident, në të cilin karriget fluturuan edhe jashtë stadiumit.
Në komunikatën e Llapit thuhet se përkundër dëmeve të bëra, raportet mbesin të mira me kryesinë e Ballkanit. Po ashtu, thuhet se si organizator kanë marrë të gjitha masat e duhura për organizimin e ndeshjes, si dhe tifozët mysafir kanë pasur tribunën e veçantë.
Llapi insiston se nuk ka pasur përleshje mes tifozëve, ndërsa thotë se veprimi i tifozëve të Ballkanit për shkuljen e karrigeve është i papranueshëm dhe duhet të dënohet rreptë. Llapi pret që personat e identifikuar në këtë incident të marrin dënimin e merituar, në mënyrë që të vetëdijesohen një herë e përgjithmonë. Sipas klubit llapjan, dëmi i shkaktuar në stadium e kalon vlerën e mbi 10 mijë eurove.
Ndërkohë, Llapi thotë se pret mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për të intervenuar dhe rregulluar sa më shpejtë ulëset e stadiumit.