Marash Kumbulla ka shënuar njërin prej dy golave të Romës që të enjten mbrëma fitoi në “Stadio Olimpico” kundër Real Sociedadit spanjoll në Ligën e Evropës.
Italianët realizuan fitore 2:0 në shtëpi kundër spanjollëve dhe kanë krijuar epërsi të madhe për duelin kthyes që do të vendosë për çerekfinalistin e këtij dueli.
Stephan El Shaarawy shënoi për 1:0 në minutën e 13-të, ndërsa Kumbulla që hyri në lojë si zëvendësues në pjesën e dytë, realizoi tre minuta para fundit të takimit me asistim të Paulo Dybalas.
Në duelet tjera të orarit të mëhershëm të enjten në 1/8 e finales së Ligës së Evropës, Bayer Leverkuseni mposhti Ferencvarosin 2:0.
Kerem Demirbay shënoi për 1:0 në minutën e 10-të, ndërsa Edmond Tapsoba, shënoi për 2:0 në minutën e 86-të.
Union Berlini barazoi në shtëpi kundër Royale Unionit, 3:3.
Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 28-të me golin e Victor Bonifaces.
Josip Juranoviq shënoi për 1:1 në minutën e 42-të.
Mysafirët shënuan për 2:1 me Yorbe Vertessenin në minutën e 58-të, por Robin Knoche barazoi në 2:2 në minutën e 69-të.
Boniface e shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën belge në minutën e 72-të.
Megjithatë, gjermanët nuk u dorëzuan dhe barazuan rezultatin me Sven Michelin, në minutën e 89-të.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.