Sport

Ramadani përgëzon lojtarët për ndeshjen me Holandën

Përzgjedhësi i ri i Kosovës në futbollin e sallës, Agon Ramadani, ka përgëzuar lojtarët që ai drejton, për paraqitjen ndaj Holandës.

Ndeshja Kosova – Holanda u mbyll 3:3 dhe ishte e fundit në raundin kryesor (Main Round) të kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Kosova që fitoi pikën e parë në shtëpi në këtë raund garash, mbeti e fundit në Grupin 11.

Grupin e ka fituar Ukraina që ka nëntë pikë nga tri ndeshje, ndërsa Holanda kalon tutje me katër pikë.

“Jam i zhgënjyer me rezultatin sepse në fund me pak fat, do të mund ta fitonim takimin. Por, sidoqoftë, lojtarët që ishin në fushë, dhanë edhe atomin e fundit. Mburrem me ta sepse kështu përfaqësohet vendi. Mendoj që ishte pozitive paraqitja e lojtarëve në këtë ndeshje. Dëshira, vullneti i lojtarëve, na jep besim të madh që të vazhdojmë ta dërgojmë Kosovën ku dëshirojmë të gjithë ta shohim, sa më lartë. Në rezultat natyrisht se ndikoi edhe fondi i lojtarëve. Nuk kishim shumë lojtarë të gatshëm për këtë takim, por gjithsesi, kjo u mbulua me angazhim dhe rotacione të shumta”, ka thënë Ramadani për KOHËN pas ndeshjes.

Kosovës në duelin kualifikues ndaj Holandës i munguan Jeton Rukovci e Melos Kelmendi shkaku i dokumentacionit dhe problemeve me viza, Drilon Maxharaj shkaku i suspendimit me kartonë dhe Dardan Topilla për arsye familjare.