Gjyqtarët spanjollë të futbollit u mblodhën në Madrid të enjten për të mbrojtur profesionin e tyre, pas një skandali që përfshin pagesën e miliona eurove nga Barcelona gjatë disa vjetëve ndaj një ish-arbitri që më pas vepronte si zëvendëspresident i shoqatës. Barcelona mohon çdo parregullsi dhe thotë se paratë ishin për raportime mbi gjyqtarët dhe lojtarët e rinj, por një prokuror shtetëror spanjoll po heton klubin pasi zyrtarët e taksave u përfshinë.
“Ne duam të bëjmë të qartë se askush nuk ka më shumë në rrezik sesa ne për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”, tha arbitri Jose Sanchez në emër të të gjithë zyrtarëve të ndeshjeve të futbollit.
Prej tubimit të gjyqtarëve u tha se kishte shpresë që “veprimet e supozuara të një personi që në kohën e tij ishte pjesë e kësaj shtëpie nuk do të njollosin imazhin tonë dhe nderin e këtij trupi madhështor”.
Disa qindra gjyqtarë aktivë, ish-gjyqtarë dhe ndihmësgjyqtarë morën pjesë në konferencën e parë qëkur skandali u zbulua nga Cadena SER më 15 shkurt.
Organi i arbitrave u përpoq të distancohej nga marrëdhënia midis Barcelonës dhe ish-arbitrit Jose Maria Enriquez Negreira, i cili ishte pjesë e komitetit të arbitrave të federatës spanjolle të futbollit nga viti 1994 deri në vitin 2018. Raportet e mediave lokale thonë se pagesat e Barcelonës për Enriquezin arritën në 7 milionë euro midis viteve 2001 dhe 2018, kur u ndaluan. Ndërsa nuk i konfirmon shifrat e sakta, Barcelona ka pranuar pagesën e rregullt për Enriquezin gjatë atyre viteve. Klubi ka punësuar një firmë të pavarur për të kryer hetimin e vet dhe pritet të japë raport më të detajuar të marrëdhënies me Enriquezin pasi të përfundojë hetimi.
Nuk ka pasur raportime nga zyrtarë apo në media se pagesat janë të lidhura me favorizimin ndaj Barcelonës nga arbitrat. Shumë ish-arbitra që ishin aktivë në kohën kur Enriquez ishte zëvendës-president i tyre, kanë thënë se kurrë nuk kanë pasur ndonjë presion nga ai apo zyrtarë të tjerë. Ata thanë gjithashtu se roli i tij ishte të informonte gjyqtarët se në cilat gara ishin caktuar çdo sezon, por jo se në cilat ndeshje.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Spanjës, Andreu Camps, i dyti pas presidentit Luis Rubiales, tha në ngjarje se organizata e tij ka përmbushur kërkesat për informacion nga zyra e taksave dhe prokurorët e Spanjës dhe ka mbajtur të informuar UEFA-n për këtë çështje në të cilën është e përfshirë Barcelona.
“Ne duam të dëshmojmë se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha organet për ta pastruar emrin tonë dhe për t’u distancuar nga kjo situatë. Kjo edhe është arsyeja e këtij tubimi pasi nuk duam të përfshihemi në asnjë çështje që njollos emrin dhe integritetin tonë”, është shprehur Camps.