Sport

Cuadrado drejt Arabisë Saudite

Kolumbiani Juan Cuadrado sipas të gjitha gjasave, do ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite. “Tuttosport” ka raportuar të martën se Cuadrado do të transferohet te skuadra Al-Nassr, me të cilën thuhet se parimisht ka arritur marrëveshje.

Mësohet se Cuadrado ka refuzuar ofertat nga skuadrat e Evropës për t’iu bashkuar Cristiano Ronaldos tek ekipi saudit. Cuadrado ka qenë bashkëlojtar me Ronaldon te Juventusi dhe ishte portugezi, ai që e bindi që të luajë në Lindjen e Mesme prej sezonit të ardhshëm.

Cuadrado tek Al-Nassr do të transferohet si lojtar i lirë, pasi në verë i skadon kontrata me Juventusin, ndërsa me ekipin saudit do të firmosë për dy vjet. 34-vjeçari është pjesë e Juventusit prej vitit 2015, kurse në Evropë ka luajtur edhe për Chelsean, Fiorentinan, Udinesen e Leccen. Këtë sezon, në 26 paraqitje në të gjitha garat ka bërë edhe 4 asistime.