Sport

Presioni po rritet ndaj Nagelsmannit

Julian Nagelsmann - Bayern

Presioni po rritet mbi trajnerin e Bayern Munichut, Julian Nagelsmann. Dhe, tashmë ai vjen nga shumë anë.

Federata e Futbollit e Gjermanisë ka hapur të hënën rast kundër Nagelsmannit për shpërthimin e tij ndaj gjyqtarit Tobias Welz dhe zyrtarëve të ndeshjes, pas humbjes 3:2 të Bayernit në udhëtim te Borussia Moenchengladbachu të shtunën. Nagelsmann u përpoq të fliste me arbitrin menjëherë pas ndeshjes, më pas vrapoi përpara gazetarëve për të shkuar në dhomën e zhveshjes së zyrtarëve.

“A po më ngatërron apo çfarë?”, raportohet të ketë thënë Nagelsmann gjatë rrugës, përpara se të trokiste në derën e zyrtarëve.

Revista “Kicker” raportoi se Nagelsmann kaloi rreth një minutë në dhomën e zhveshjes, më pas doli po aq i zemëruar.

“Zoti im, Zoti im”, tha Nagelsmann kur e mbylli derën.

Nagelsmann më vonë kërkoi falje për “zgjedhjen e fjalëve”, por kjo nuk e ka ndaluar Federatën të shqyrtojë sjelljen e mundshme josportive. Federata tha se i ka kërkuar trajnerit të Bayernit një deklaratë dhe se do të vendosë se çfarë veprimi do të ndërmarrë ndaj tij, pasi të jetë vlerësuar situata. Nagelsmann ishte i zemëruar, ndër të tjera, për kartonin e kuq të hershëm të qendërmbrojtësit Dayot Upamecano – një vendim që e la ekipin e tij me një lojtar më pak nga minuta e tetë. Welz e përjashtoi Upamecanon për një prekje të lehtë në shpatullën e Alassane Plea, ndërsa sulmuesi francez po kalonte me shpejtësi drejt portës. Kishte kontakt minimal, por ishte ende e mjaftueshme për ta shtyrë Plean.

“Lojtari i Gladbachut gjendet përballë lojtarit të Bayernit pikërisht përpara zonës së penalltisë, merr kontaktin dhe kështu humbet ekuilibrin, megjithëse ai ende përpiqet të vazhdojë të vrapojë”, tha Welz. “Sulmuesi dëshiron të shënojë golin. Ai po shkon vetë drejt portierit. Pse do ta hidhte veten poshtë?”

Nagelsmann e pa krejtësisht ndryshe atë situatë.

“Thjesht nuk ishte për karton të kuq”, insistoi trajneri i Bayernit.

Nagelsmann është gjithashtu nën presion për largimin e kapitenit të skuadrës Thomas Mueller për të kompensuar humbjen e Upamecanos, në vend të Serge Gnabryt ose Ryan Gravenberchut të papërvojë. Mueller ka mbështetur kapitenin e dëmtuar të ekipit, Manuel Neuer, i cili është i mërzitur me Nagelsmannin dhe vendimin e klubit për të shkarkuar mikun e tij dhe trajnerin e portierëve Toni Tapaloviq më 23 janar.

Nagelsmann tha se ishte një “vendim i ndyrë” për të hequr Muellerin, por ai nuk kishte zgjidhje tjetër. 33-vjeçari Mueller është lojtari më me përvojë i Bayernit. Ka bërë paraqitjen e 429-të në Bundesligë për klubin. Vetëm portieri i madh Sepp Maier, me 473 ndeshje, ka më shumë paraqitje.

Nagelsmann e ka parë ekipin e tij të humbë një epërsi prej katër pikësh qëkur Bundesliga rifilloi pas pushimit dimëror. Bayerni barazoi tri ndeshjet e para të ligës pas kthimit. Humbja e së shtunës e dërgoi ecurinë pa fitore të Bayernit kundër Gladbachut në pesë ndeshje në të gjitha garat, duke përfshirë humbjen 5:0 që ia shkaktoi në Kupën e Gjermanisë edicionin e kaluar.

35-vjeçari Nagelsmann nuk e ka parë kurrë skuadrën e tij ta mposhtë Gladbachun, qëkur u bë trajner i Bayernit.

Borussia Dortmundi dhe Union Berlini tani kanë pikë sa Bayerni, i cili ende kryeson Bundesligën për shkak të diferencës superiore të golave. Bayerni do të presë Unionin në Munih, të dielën. Ndryshe nga Bayerni, Unioni nuk është nën presion pasi tashmë ka tejkaluar të gjitha pritjet dhe ka arritur objektivin e sezonit prej 40 pikësh për të siguruar mbetjen në ligë. I pamposhtur në vitin 2023, Unioni humbi mundësinë për të marrë kryesimin e tabelës duke barazuar 0:0 me Schalken e vendit të fundit, të dielën. Trajneri i Unionit, Urs Fischer, tha se mund të jetonte me mundësinë e humbur, por shtoi se ekipi i tij mund ta ketë edhe ndonjë rast tjetër në të ardhmen për të parakaluar bavarezët. Unioni, i promovuar në vitin 2019 në Bundesligë, po e shijon edicionin më të mirë ndonjëherë. Union Berlini nuk ka nevojë të jetë i pari, ndërsa Bayerni po. Kështu që i gjithë presioni është mbi Nagelsmannin.