Sport

Festa e “çmendur” i kushtoi Xhakës me karton të verdhë

Granit Xhaka mori kartonin e 56-të të verdhë në Premier League, të shtunën në ndeshjen ndaj Aston Villas. Dhe kartonin e mori pasi u zëvendësua.

Mesfushori 30-vjeçar i Arsenalit është mësuar që të ndëshkohet me të verdhë nga gjyqtarët gjatë karrierës në Angli.

Por në “Villa Park”, të shtunën, Xhaka u largua nga fusha në minutën e 79-të, pa “e shkruar” emrin e tij në letrën e arbitrit Simon Hopper. Kjo megjithatë nuk e ndali Xhakën që të ndëshkohet me karton të verdhë, shkruan “The Sun” të dielën.

Jorginho dërgoi goditje mjeshtërore në minutën e 93-të. Topi qëlloi traversën dhe më pas shkoi në kokën e portierit Emi Martinez, për të përfunduar në rrjetë. Kështu Arsenali po e siguronte fitoren shumë të nevojshme ndaj Villas.

Të gjithë tek Arsenali festuan golin e shënuar me shumë fat, duke përfshirë Jorginhon. Xhaka natyrisht nuk deshi të mbetej pa festuar. Ai vrapoi në mes të fushës deri te këndi ku ishin lojtarët e Arsenalit, që po festonin para tifozëve pasionantë nga Londra. Pasi festoi me bashkëlojtarët, Xhaka u nis për t’u kthyer në bankinë, ndërsa arbitri ia tregoi kartonin e verdhë.

Xhaka u kthye sërish në mes të fushës për në bankinë, por fillimisht duke pranuar vendimin e arbitrit për ta ndëshkuar.

Sipas The Sun, tifozët në rrjetet sociale kanë pëlqyer skenën dhe kanë lavdëruar Xhakën për përkushtimin ndaj skuadrës. Arsenali mori fitore të vështirë, 4:2, ndaj Villas.

Me këtë fitore, Arsenali është kthyer në krye të tabelës.

Një tifoz shkroi: “Xhaka është dashur të vrapojë nga banka për të festuar këtë gol. Çfarë ekipi i jashtëzakonshëm është ky”.

“Çfarë dite – Xhaka ia doli të festojë në anën e kundërt të fushës pasi u zëvendësua. Kjo është brilante”, ka shkruar një tjetër tifoz.

“Gjëja më e bukur nga të gjitha videot e festimit të golit të tretë është që Xhaka është dashur të vrapojë gjithë fushën për t’u bashkuar në festë”, ishte një koment tjetër, për të vazhduar me: “Xhaka është lider kështu që duhet të festojë me bashkëlojtarët”.

Arsenali ka 54 pikë nga 23 ndeshje. Manchester City është në vendin e dytë me 52 pikë nga 24 ndeshje. City lëshoi pikë të shtunën, pasi Arsenali mori fitoren e madhe tek Aston Villa. Gara për titull në Premier League vazhdon të jetë shumë e fortë.