Sport

Mesazhi “sekret” që mori Vedat Muriqi para ndeshjes ndaj Real Madridit

Sulmuesi shtatlartë i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk mundi ta fshehë buzëqeshjen pasi mori një letër nga një vajzë e vogël, por tifoze e madhe e Muriqit. Muriqi dhe vajza e vogël po bëheshin gati të hynin në fushë para se të niste dueli ndërmjet Mallorcas dhe Real Madridit në fundjavën që lamë pas. Dhe ai pranoi një dhuratë, e cila i dha shtytje të madhe sulmuesit të Kosovës. Muriqi shkëlqeu në fitoren ndaj madrilenëve, 1:0.

Muriqi u hodh për ta goditur një top, të cilin Nacho e shtyu në portën e vet në minutën e 13-të në “Estadi Mallorca Son Moix”. Ishte edhe goli i vetëm i shënuar në atë ndeshje, ndërsa për Mallorcan ishte fitorja e parë që prej vitit 2019-të, ndaj Real Madridit. Muriqi është kthyer në një prej lojtarëve më të pëlqyer të Mallorcas, shkaku i golave të shënuar e paraqitjeve që ka. “Valeria e vogël tregoi qartë se është tifoze e madhe e futbollistit të gjatë 194 centimetra.

Ajo ishte me fat që hyri në fushë dorë për dore me kosovarin dhe nuk hezitoi t’i jepte një mesazh sekret. Në letër, tifozja e re nuk i tregoi sulmuesit të Mallorcas se si ta kalonte Ruedigerin apo Nachon, por përmbante një vizatim të bukur të të dyve. Muriqi e pranoi dhuratën dhe kur e hapi letrën, nuk mundi ta fshehë buzëqeshjen për gjestin e bërë nga ajo”, ka shkruar të enjten “ultimahora.es”.

Muriqi në 20 ndeshje të këtij sezoni në të gjitha garat, ka realizuar nëntë gola derisa i ka edhe dy asistime.