Shumë klube të Premier Leagues duan që Manchester City të përjashtohet nga liga elitare nëse shpallet fajtor për shkeljen e rregullave financiare gjatë nëntë sezoneve.
Te City thanë të hënën se ishin “të befasuar” që ishin akuzuar nga Premier League për 101 shkelje të pretenduara të rregullave financiare, që shtriheshin nga edicioni 2009/10 deri në edicionin 2017/18.
Dënimi më i rëndë i Premier Leagues në këto rrethana do të ishte përjashtimi i Cityt dhe është raportuar se liga angleze e futbollit nuk do të ishte e detyruar t'i pranonte vendimet. Ekziston një ndjenjë se heqja e titujve të Cityt do të ishte e pakuptimtë dhe do të shkaktonte konfuzion. Por një gjobë gjithashtu nuk ka gjasa të ketë shumë efekt për kampionin në fuqi të Anglisë.
Klubet që kishin bërë presion më të madh për dënimin e Cityt ishin disa anëtarë të tjerë të ashtuquajturës “gjashtëshja e madhe”, që përfshin Manchester Unitedin, Liverpoolin, Arsenalin, Chelsean dhe Tottenhamin. Nuk do të ketë shumë simpati për Cityn, i cili ka fituar gjashtë herë Premier League në 11 vjetët e fundit, nëse shpallet fajtor.
Klubet e Premier Leagues nuk duan të përfshihen në këtë proces, i cili është në duart e një komisioni të pavarur. Në fakt, klubet e lartpërmendura kanë kërkuar përjashtimin e menjëhershëm të Cityt nga elita e futbollit anglez në rast se shpallet fajtor. E kjo kërkesë pritet të shqyrtohet për shkak të presionit të madh nga skuadrat e tjera.
Manchester City pretendohet se ka shkelur rregullat e ligës që kërkojnë “në mirëbesim maksimal informacion të saktë financiar që jep një pamje të vërtetë dhe të drejtë të pozicionit financiar të klubit”.
Liga thotë se informacioni i saktë financiar i kërkuar është në lidhje me “të ardhurat (përfshirë të ardhurat nga sponsorimi), palët e lidhura me to dhe kostot operative”.
Grupi i dytë i shkeljeve të listuara u referohet rregullave “që kërkojnë që një klub anëtar të përfshijë detaje të plota të shpërblimit të trajnerit në kontrata” në lidhje me sezonet 2009/10 deri në 2012/13. Trajneri i klubit anglez midis dhjetorit 2009 dhe majit 2013 ishte selektori aktual i Italisë, Roberto Mancini. Grupi tjetër i shkeljeve të supozuara u referohet gjithashtu kërkesave që një klub të përfshijë detaje të plota të shpërblimit të lojtarëve brenda kontratave përkatëse, për sezonet 2010/11 deri më 2015/16.
Seksioni tjetër trajton shkeljet e pretenduara të rregullave të Premier Leagues që kërkojnë që klubet të respektojnë rregulloret e UEFA-s për lojën e ndershme financiare, nga sezoni 2013/14 deri në sezonin 2017/18.
Në vitin 2020, Manchester City kishte një ndalim dyvjeçar nga futbolli evropian, vendim i anuluar nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).