Sport

Viniciusi sërish shënjestër e fyerjeve raciste, La Liga nis hetimet

Vinicius - Real Madrid

Sulmet ndaj brazilianit Vinicius Junior nuk kanë të ndalur. Ato vazhduan në Spanjë gjatë fundjavës, me sulmuesin brazilian që u vu sërish në shënjestër të ofendimeve raciste në një ndeshje të ligës.

Liga spanjolle tha të hënën se ka nisur hetimet për këtë fyerje, pasi imazhet televizive treguan se dikush e quajti atë majmun gjatë humbjes 1:0 të Real Madridit në Mallorca, të dielën. Vinicius gjithashtu u ofendua pas ndeshjes kur u ndal për të pozuar dhe për të dhënë autografe për tifozët.

Vinicius i është nënshtruar fyerjeve që kur erdhi për të luajtur në Spanjë pesë vjet më parë dhe muajin e kaluar sulmet arritën një nivel të ri kur një kukull me pamjen e tij u var në një urë në Madrid përpara derbit kundër Atletico Madrid në Kupën e Spanjës. Ai gjithashtu kishte qenë në shënjestër të tifozëve në stadiume të tjera më parë, përfshirë në “Camp Nou” të Barcelonës.

Sulmet ndodhën edhe në ndeshjet e Realit në Valladolid dhe Bilbao. Liga ka raportuar fyerjet në Federatën e Futbollit të Spanjës, si dhe tek autoritetet lokale. La Liga tha se do të bënte të njëjtën gjë këtë herë pasi “u vërejtën përsëri fyerje raciste të patolerueshme kundër Viniciusit”. Liga tha se është duke “punuar me Mallorcan për të identifikuar përgjegjësit në mënyrë që të merrte të gjitha masat e nevojshme ligjore”.

Për të përshpejtuar procesin, liga tha se hapi një email në mënyrë që fansat që mund të kenë imazhe ose njohuri për personat përgjegjës të kontaktojnë dhe ta ndihmojnë atë të paraqesë ankesat e duhura. Autoritetet nuk i kanë gjetur ende ata që ishin përgjegjës për varjen e kukullës me figurën e Viniciusit para ndeshjes kundër Atleticos dhe deri më tani skuadrat nuk janë ndëshkuar për fyerjet raciste kundër brazilianit, të ndodhura brenda stadiumeve të tyre.

Një komitet kundër dhunës tha se po studionte ndëshkimin e tifozëve të Valladolidit që ofenduan Viniciusin në një ndeshje në dhjetor, që mund të përfshijë gjoba prej 4000 eurosh për çdo individ të identifikuar, si dhe ndalimin e tyre nga stadiumet për një vit. Vitin e kaluar një grup i madh tifozësh të Atleticos brohoritën “Vinicius, ti je një majmun” jashtë stadiumit “Metropolitano”, por prokurorët e shtetit spanjoll mbyllën hetimin mbi çështjen, duke përmendur mungesën e provave dhe nënvlerësuan seriozitetin e rastit. Sipas prokurorëve, thirrjet dyshohet se vinin në mjedisin e rivalitetit të një ndeshjeje futbolli. Gjyqi i parë kundër një tifozi që ofendoi në mënyrë racore një lojtar në Spanjë pritet të fillojë këtë vit, pas komenteve të një mbështetësi të Espanyolit kundër sulmuesit të Athletic Bilbaos, Inaki Williams, disa vjet më parë.

Vinicius ka qenë i hapur për sulmet kundër tij, por ende nuk ka komentuar mbi ngjarjet e fundit. Real Madridi është ankuar gjithashtu se si Vinicius, një sulmues i shpejtë i njohur për driblimet e shkëlqyera, është vënë në shënjestër nga lojtarët kundërshtarë në fushë.

Mbrojtësi i Valencias, Gabriel Paulista, u përjashtua nga loja javën e kaluar pas një faulli të egër ndaj brazilianit. Vinicius gjithashtu përjetoi disa ndërhyrje të ashpra edhe kundër Mallorcas. 22-vjeçari, kohët e fundit u përfshi në polemika për kërcimin e tij në festat pas shënimit të golave.

“Ka një mjedis që po krijohet rreth Viniciusit që nuk i ndihmon askujt, as Viniciusit dhe as tifozëve, të cilët përfundojnë duke e provokuar atë pa e ditur arsyen e këtij provokimi”, tha mbrojtësi i Real Madridit, Nacho Fernandez. “Është koha për t'i lënë mënjanë këto polemika dhe marrëzi”.