Vazhdon diskriminimi, karateistët kosovarë nuk lejohen të garojnë të barabartë në Evropian
Në vend se në arenë, karateistët e rinj të Kosovës të premten kanë qëndruar në tribunat e sallës në Larnaca të Qipros, ku po zhvillohet Kampionati Evropian për kadetë, juniorë dhe për grupmoshën U21.
Përfaqësueses së Kosovës në karate nuk i është lejuar paraqitja me të drejta të barabarta në Evropian dhe për këtë arsye, është vendosur që të mos garohet në ngjarjen kryesore kontinentale. Ishte Qeveria e Qipros që vendosi se garuesit e Kosovës nuk mund të garojnë me simbole të shtetit në Kampionat Evropian. Vendimi i Qeverisë së Qipros është pranuar nga Federata Evropiane e Karatesë dhe kështu, karateistët kosovarë kanë mbetur jashtë garës që filloi të premten.
Qiproja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka vendosur të diskriminojë sportistët kosovarë. Në fakt sportistë nga Kosova në të kaluarën kanë garuar në Qipro dhe në këtë vend janë shfaqur simbolet e Kosovës. Por situata ka ndryshuar për Evropianin e karatesë, ndërsa ka munguar përkrahja dhe mirëkuptimi nga Federata Evropiane.
Karateistët e Kosovës kanë udhëtuar për medalje në Qipro. Por prej këtij vendi do të kthehen pa garuar fare. Qëndrim i të gjithë karateistëve ishin që të garojnë vetëm nëse trajtohen të barabartë.
“Ne jemi të pranuar me të drejta të plota në Federatën Evropiane dhe Federatën Botërore. Dhe deri më tani kemi garuar të barabartë me të tjerët. Por këtu në Qipro kemi hasur në telashe. Qeveria e Qipros i ka thënë Federatës qipriote të karatesë se Kosova mund të garojë, por vetëm duke përfaqësuar federatën e karatesë. Në vend të flamurit në sallë është vendosur një arnë ku është shkruar ‘Kosovo Karate Federation’. Edhe në sajtin zyrtar ku paraqiten rezultatet është shkruar ‘Kosovo Karate Federation, KKF’ e jo Kosova si gjithnjë. Kjo na ka ndodhur për herë të parë. Po ashtu na është thënë se nuk do të lejohet himni i Kosovës nëse fitojmë medalje dhe se nuk do të shfaqet flamuri Kosovës”, ka treguar për KOHËN, Avni Gashi, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.
Ai ka treguar se është në koordinim të vazhdueshëm me MKRS-në dhe KOK-un. Po ashtu i ka shkruar menjëherë Federatës botërore dhe evropiane të karatesë. Por përkrahja nga asociacionet ndërkombëtare të karatesë ka munguar.
“Komiteti Ekzekutiv i EKF-së ka mbajtur një mbledhje të gjatë këtu në Larnaca. Pas mbledhjes, gojarisht na është thënë se nuk mund ta ndërrojnë vendimin e Qeverisë së Qipros dhe se mund të garojmë vetëm si e ka përcaktuar federata qipriote. Ne natyrisht nuk kemi pranuar dhe nuk po garojmë. Të gjithë, duke përfshirë garuesit dhe trajnerët, ishim njëzëri që mos të garojmë pa u trajtuar të barabartë me të tjerët”, ka shtuar Gashi.
Sipas kryetarit të federatës kosovare të karatesë, garuesit janë të dëshpëruar për diskriminimin që u është bërë.
“Kanë bërë punë të madhe në klubet e tyre për këtë kampionat. Janë bërë edhe shpenzime, ndërsa kemi paguar edhe kotizimin për pjesëmarrje. Por dje na thanë për vendimin e Qeverisë dhe situata nuk ndryshoi, me gjithë përpjekjet tona maksimale. Garuesit janë të demotivuar dhe të dëshpëruar. Por në të njëjtën kohë janë edhe krenarë dhe assesi nuk duan të shkelin mbi simbolet e shtetit”, ka shtuar Avni Gashi.
Mbi 30 karateistë të Kosovës është dashur të garojnë në Evropian. Në këtë ngjarje për të rinj po marrin pjesë karateistë nga 48 shtete të ndryshme. Në vitet e kaluara karateistët kosovarë ishin të suksesshëm në këtë ngjarje. Por këtë herë, nuk u lejuan të luftojnë për medalje, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë masë ndaj Qipros.
Ndonëse Kosova është e pranuar me të drejta të plota në federatat ndërkombëtare sportive, sportistët vazhdojnë të diskriminohen në disa vende.