Harry Kane do të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Tottenhami me vetëm një gol të shënuar të dielën kundër Manchester Cityt.
Megjithatë, pritja e sulmuesit për një trofe të madh do të vazhdojë ende. Kane ndaj Cityt mund ta tejkalojë rekordin e Jimmy Greavesit prej 266 golave për Tottenhamin, i cili ka qëndruar i paprekur për 53 vjet. Ai gjithashtu ka të barazuar rekordin e Wayne Rooneyt prej 53 golave për Anglinë, të cilën do ta thyejë sipas të gjitha gjasave muajin e ardhshëm. Ndërkohë, rekordi i Alan Shearerit me 260 gola në Premier League mbetet synim afatgjatë për Kanen, pasi sulmuesi deri më tani ka 199 gola në kampionatin anglez.
Ndërkohë që këto statistika konfirmojnë statusin e Kanet si një nga sulmuesit më të mirë në historinë e futbollit, në moshën 29-vjeçare karriera e tij rrezikon të mbetet e papërmbushur sa u përket trofeve. Gjithçka mund të kishte qenë shumë ndryshe nëse Pep Guardiola do ta kishte transferuar në vitin 2021, kur Kane ishte objektivi kryesor i trajnerit të Cityt. Nëse kjo lëvizje do të ishte realizuar, Kane tashmë mund t'i kishte dhënë fund pritjes për trofe dhe do të ishte shumë më afër rekordit të Shearerit.
Në fakt, Kane nuk e ka fituar asnjë trofe në karrierë por kjo nuk e ka ndalur të shënojë gola vazhdimisht për Tottenhamin. Ai këtë edicion ka 16 gola në ligë, ndërsa 18 në total për ekipin nga Londra. Megjithatë, Kane është më shumë i fokusuar për të fituar trofe me ekipin sesa çmime individuale edhe pse vështirë se mund të ketë ndonjë sukses me fanellën e Tottenhamit.
“Sigurisht që për mua kanë më shumë rëndësi trofetë sesa rekordet apo çmimet individuale. Megjithatë, unë nuk do të dorëzohem dhe do të vazhdoj kërkimin tim për sukses ekipor”, tha Kane.
Kane vitet e fundit ka qenë shumë i kërkuar në tregun e futbollit, por pengesa kryesore është çmimi që i ka caktuar Tottenhami. Krahas Cityt, ai është kërkuar edhe nga Manchester Unitedi, Real Madridi e Bayern Munichu. Tottenhami po kërkon 130 milionë euro për futbollistin i cili në fillim të sezonit të ardhshëm do të mbushë 30 vjet. Tani për tani, Tottenhami ende llogarit në benefitet e tij dhe po shpreson që golat e Kanet do t’ia sigurojnë pozitën e katërt në fund të sezonit, në mënyrë që edicionin e ardhshëm të paraqitet në Ligën e Kampionëve.
“Secili ekip lufton për të luajtur në Champions dhe ne duhet patjetër të sigurojmë një vend për t’u paraqitur në garën elitare të Evropës. Jemi në garë për një pozitë dhe do të vazhdojmë luftën tonë deri në fund të sezonit”, insistoi Kane.
Tottenhami aktualisht zë vendin e pestë në tabelë me 36 pikë, tri më pak se Manchester Unitedi e Newcastle që renditen në pozitat tre dhe katër, por kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërkohë, City është i dyti me 45 pikë, pesë më pak se Arsenali që i prin Premier Leagues.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.