Sport

Barça nuk e regjistroi lojtarin për 18 sekonda

Barcelona ka dashur që ta transferonte Julian Araujon nga Los Angeles Galaxy të martën si zëvendësues të Hector Bellerinit që u transferua te Sportingu. Megjithatë, huazimi me opsionin e blerjes përfundimtare për 21-vjeçarin meksikan nuk u kompletua, ani pse marrëveshja mes klubeve ishte arritur.

“Nuk arritëm ta regjistronim”, ka thënë drejtori sportiv Mateu Alemany para fitores së Barcelonës 2:1 kundër Real Betisit të mërkurën.

Problemi ishte në sistem, pasi mesazhi nga Barcelona ishte pranuar me 18 sekonda vonesë. Barcelona tani është në kontakt me FIFA-n dhe kërkon mirëkuptim. Araujo, skuadrës LA Galaxy i ishte bashkuar në vitin 2018. Ai ka luajtur në 98 ndeshje dhe ka shënuar një gol me skuadrën amerikane, ndërsa me Meksikën ka tri ndeshje të luajtura. Por, nuk ishte ftuar në Botërorin e Katarit. Araujo është mbrojtës i krahut të djathtë.