Sport

Gashi kërkon të punojë në Kosovë si trajner i kërcimit me ski

Pasi u konfirmua se austriakja Sophie Sorschag do ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare të kërcimit me ski, Federatës së Skitarisë së Kosovës (FSK) i është ofruar një trajner kosovar po që jeton në Suedi. Bëhet fjalë për Besnik Gashin, i cili në vitin 1991 migroi në Suedi dhe atje ka qenë garues i kërcimeve me ski. Gashi, 37-vjeçar, së fundmi ka qenë trajner i juniorëve në ekipin Holmens IF dhe tani i është vetofruar Kosovës. Në letrën e tij të dërguar në Federatë, Gashi ka thënë se është ëndrra e tij që të jetë pjesë e stafit të trajnerëve të Kosovës, që tashmë ka garuesen e saj në kërcimet me ski. Gashi ka thënë se ëndërr e tij ka qenë gjithmonë ta përfaqësojë Kosovën, por kur ishte garues aktiv një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Ai thotë se ka një dekadë si profesionist i këtij sporti në nivelin elitar.

“U gëzova shumë kur kuptova se Kosova po bëhet me ekip dhe po garon në kërcimet me ski. Dëshira ime e madhe është të kontribuoj për Kosovën, ashtu si kam kontribuuar për Suedinë. Dua ta përfaqësoj Kosovën si trajner apo pjesë e stafit të trajnerëve”, ka thënë Gashi, i lindur në Hajvali, Komuna e Prishtinës. “Në kohën time kur kam qenë aktiv nuk ka qenë e mundur një gjë e tillë, por tashmë kanë filluar hapat e parë për zhvillimin e këtij sporti dhe jam i gatshëm për të ndihmuar”.

Gashi thotë se ka qenë pjesë e ekipit të juniorëve të Suedisë dhe është paraqitur në disa gara të rëndësishme. Madje, ai ka përfaqësuar Suedinë në dy Kampionate Botërore, në vitin 2002 dhe 2003. Rezultatin më të mirë e ka arritur në botërorin e vitit 2003 duke përfunduar i 12-i, ndërsa në garat ekipore me Suedinë ka zënë vendin e pestë. Në kampionatin e juniorëve të Suedisë, Gashi ka zënë vendin e parë në vitin 2003, ndërsa ka përfunduar i dyti në të njëjtin vit edhe në nivelin senior.

Federata Skitare e Kosovës, javën e shkuar firmosi kontratën me austriaken Sorschag. Ajo ka fituar titull të botës për Austrinë në konkurrencë ekipore, në vitin 2021. Vjet mori pjesë në Lojërat Olimpike në Pekin. Tani 24-vjeçarja është pjesë e Kosovës dhe prej stinorit të ardhshëm do të paraqitet në gara. Slloveni Jure Radelj është prej përgjegjësve që Sorschag është pjesë e Kosovës tashmë. Radelj 45-vjeçar me Sorschagun punon prej vitit të kaluar. Sorschag i ka disa suksese edhe në garat e Kupës së Botës, që janë kryesoret në këtë sport dhe vlerësohet me potencial për të fituar medalje të mëdha për Kosovën në të ardhmen.

“Jam krenare të përfaqësoj në të ardhmen Republikën e Kosovës, Komitetin Olimpik, Federatën e Skijimit dhe gjithë popullin e Kosovës në kërcime me ski. Faleminderit të gjithëve që më krijuan këtë mundësi, sidomos mbarë familjes sime, trajnerit Jure Radelj dhe familjes së tij. Po shikoj para drejt të ardhmes së suksesshme për të gjithë ne”, ka shkruar Sorschag javën e shkuar.

Sorschag ka pushuar thuajse gjithë vitin e kaluar për shkak të një lëndimi të gjurit. Nuk do të paraqitet në këtë edicion, ndërsa për Kosovën pritet të garojë prej fillimit të stinorit të ardhshëm. Sorschag është sportistja më cilësore që Kosova ka natyralizuar deri më tani.