Leipzigu fiton dhe vazhdon serinë e jashtëzakonshme pa humbje
Leipzigu ka kaluar në pozitën e dytë të Bundesligës gjermane. Futbollistët e këtij ekipi mposhtën të premten mbrëma Stuttgartin me rezultatin 2:1, për ta vazhduar serinë e jashtëzakonshme pa humbje.
Leipzigu ka 16 ndeshje në të gjitha garat që nuk ka pësuar disfatë. Dhe formën e mirë e vazhdoi edhe në kuadër të xhiros së 18-të të Bundesligës.
Dominik Szoboszlai shënoi dy gola. Të parin e shënoi në minutën e 25-të, ndërsa golit të dytë iu gëzua në minutën e 49-të. Chris Fuhrich shënoi në minutën e 68-të për mysafirët dhe vulosi rezultatin final të takimit.
Leipzigu ka 35 pikë, një më pak se Bayerni që ka një ndeshje më pak të luajtur. Stuttgarti në vendin e 15-të ka 16 pikë.