Sulmuesi Shkëlqim Vladi është kthyer nga lëndimi dhe tani te skuadra e Aaraut që bën gara në rangun e dytë të futbollit zviceran, po shihet si shpëtimtar.
Aarau po synon të ngjitet në elitën e futbollit zviceran, por lehtë mund edhe të bie nga liga.
Aarau është në pozitën e pestë me 25 pikë. Ka vetëm 13 pikë më shumë se skuadra e vendit të fundit në tabelë dhe 10 më pak se lideri, Wili.
22-vjeçari Vladi u transferua në verë nga Young Boysi dhe ka tetë gola të shënuar.
“Bashkëlojtarët janë të lumtur që jam kthyer nga lëndimi. Natyrisht, ka edhe pritshmëri të mëdha nga tifozët. Kjo vetëm më motivon më shumë”, ka thënë Vladi të premten, shkruan “Blick”.
Vladi pati mundësi të debutonte për Kosovën në vjeshtën e vitit të kaluar, por një ditë para se të vinte në grumbullim te “Dardanët”, pësoi lëndim në ndeshjen e Kupës kundër Baselit.
Tani synim i tij është që të ftohet nga Kosova për ndeshjet e marsit.
Golat, sipas tij, janë përgjigja më e mirë për përzgjedhësin Alain Giresse.
“Sulmuesit në ditët e sotme duhet të bëjnë më shumë sesa të shënojnë gola, por pa realizime sulmuesit nuk vlerësohen edhe aq shumë”, është shprehur Vladi.
“Nuk e di se sa gola mund të shënoj, nuk e kam menduar. Por, mjaftueshëm që të jem golashënuesi më i mirë në fund të sezonit”, thotë Vladi duke qeshur.