Mediave nuk i është lejuar hyrja në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për ta përcjell nga afër kuvendin e jashtëzakonshëm.
FFK-ja, sot prej orës 11:00, ka ftuar kuvendin, në të cilin delegatët do të votojnë miratimin e Statutit të ri.
Për miratimin e Statuti i ri duhet të jenë të pranishëm dhe po ashtu të votojnë pro dy të tretat e delegatëve. Gjasat janë të mëdha që të miratohet Statuti i ri, pasi tashmë delegatët po mblidhen në selinë e FFK-së.
Drita, Prishtina dhe Trepça ’89 kanë njoftuar publikisht se nuk do ta votojnë Statutin e ri. Sipas tyre, draftstatuti i dërguar nga FFK-ja në adresë të klubeve, përkatësisht delegatëve, ka shumë parregullsi.
Para hyrjes në selinë e FFK-së, janë të pranishëm dy pjesëtar të Policisë së Kosovës, të cilët nuk kanë dhëne ndonjë arsyetim, por thjeshtë kanë thënë se nuk lejohet prania e mediave.
Po ashtu, edhe në Kuvendin zgjedhor të FFK-së, i cili u mbajt në prill të vitit të shkuar, mediat nuk u lejuan që të ishin te pranishme.