Shpenzimet e mëdha për lojtarët dhe punësimi i trajnerëve me emra të mëdhenj nuk e kanë ndalur rrëshqitjen e skuadrës së Evertonit. Me këtë ritëm, një nga klubet më të njohura të futbollit anglez mund të luajë në divizionin e dytë kur të hapet stadiumi i tij i ri.
Evertoni është në kërkim të një trajneri të ri, përsëri, pas shkarkimit të Frank Lampardit. Klubi po lufton për mbijetesë në Premier League pas 69 vjetëve në nivelin më të lartë. Vazhdon një ecuri aq e keqe për klubin, saqë drejtorët e Evertonit u këshilluan të qëndronin larg stadiumit “Goodison Park” në fillim të këtij muaji për shkak të një “kërcënimi real dhe të besueshëm për sigurinë e tyre”.
Kjo ndodhi pavarësisht se aksionari më i madh në klub, Farhad Moshiri, shpenzoi rreth 780 milionë dollarë në përpjekje për të transformuar pasurinë e Evertonit dhe për ta kthyer në të kaluarën e lavdishme kur garonte rregullisht për trofe të mëdhenj.
“Ne dëshironim të vinte një pronar miliarder duke menduar se do të ishte përgjigjja për të gjitha problemet tona. Në fund ai krijoi problemet më të mëdha”, tha tifozi i Evertonit, Jim Keoghan. Ai është autori i librit “Si të drejtosh një klub futbolli”. “Ndihet sikur Evertoni ishte i mbushur me para dhe nuk dinte çfarë të bënte me to”.
Lampard u shkarkua një javë para se të bënte një vit punë tek Evertoni, ekip që zë pozitën e parafundit në tabelë dhe është i zhytur në një betejë për t’i ikur rënies. Evertoni ka humbur 11 nga 14 ndeshjet e fundit, duke fituar vetëm një gjatë asaj ecurie. Disfata e fundit ishte 2:0 nga West Hami fundjavën e kaluar. Ndeshjen e radhës në kampionat e luan në udhëtim tek Arsenali, i cili është lider.
Lampard është vetëm trajneri i fundit që dështon në një klub që vazhdon të gabojë. Gjatë viteve 1980, Evertoni ishte një nga skuadrat më të suksesshme të futbollit anglez, duke fituar dy herë ligën, Kupën FA dhe Kupën e Fituesve të Kupave Evropiane. Në total, klubi ka fituar 15 trofe të mëdhenj, por asgjë që nga triumfi në Kupën FA në vitin 1995. Investimi i Moshirit në vitin 2016, kur ai bleu 49.9 për qind të aksioneve, supozohej taë shihte Evertonin të garonte sërish për kreun e tabelës. Megjithatë, periudha e tij ka qenë e mbushur me zhgënjime dhe trazira. Lampard është “viktima” e gjashtë e epokës së Moshirit, pas Roberto Martinezit, Ronald Koemanit, Sam Allardycet, Marco Silvas dhe Rafael Benitezit. Carlo Ancelotti gjithashtu u emërua gjatë kësaj kohe, por italiani u largua për ta marrë drejtimin e Real Madridit në vitin 2021.
Ancelotti - një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin evropian - është një shembull i shkallës së ambicieve të Evertonit nën drejtimin e Moshirit. Emrat e tjerë janë dëshmi e shumëllojshmërisë së profileve që biznesmeni britaniko-iranian angazhoi në përpjekje për të gjetur të duhurin. Punësimi i ish-trajnerit ikonik të Liverpoolit, Benitez, ishte një veprim veçanërisht i diskutueshëm.
“Të emërosh një trajner që tashmë tifozët e urrenin, kush e bën këtë? Është shumë i shurdhër”, tha Keoghan për Moshirin. “Për shkak se Evertoni dhe Liverpooli kanë urrejtje mes vete. Ne tifozët e Evertonit nuk e duam aspak Liverpoolin dhe ai bëri gabim të madh me Benitezin”.
Kryetari i Evertonit, Bill Kenwright, përshëndeti investimin e Moshirit në vitin 2016.
“Pas një kërkimi të madh, besoj se kemi gjetur partnerin perfekt për ta çuar klubin përpara”, tha ai në atë kohë.
Nuk ka funksionuar siç kishin shpresuar tifozët, me një përfundim në vendin e shtatë në vitin 2017. Sezonin e kaluar, Lampardi siguroi mbijetesën në Premier League në ndeshjen e parafundit. Evertoni u kthye nga disavantazhi 2:0 për të mposhtur Crystal Palacen, 3:2.
“Është një nga momentet më të mëdha të jetës dhe karrierës sime futbollistike”, tha Lampard atë natë. Kjo ishte dëshmi e mëtejshme se sa kishte rënë Evertoni.
Rënia e Evertonit nuk ka qenë për shkak të mungesës së investimeve. Një shpenzim në transferime prej rreth 780 milionë dollarësh krahasohet me rreth 795 milionë dollarët e shpenzuara nga Liverpooli gjatë së njëjtës periudhë.
“Klubi para se të hynte ai ishte i njohur që bënte gjërat siç duhet. Ish-trajneri, David Moyes, skautoi shumë mirë, bëri pazare të mira dhe tek Evertoni ishte më i miri nga të tjerët”, tha Keoghan. “Ajo që menduam se i mungonin Evertonit ishin paratë. Menduam se paratë do të hynin dhe do ta kthenin Evertonin në një klub elitar. Ka qenë vërtet një fatkeqësi për ne ardhja e Moshirit”.
Evertoni mbetet një nga klubet më të famshme të Anglisë si një anëtar themelues i Ligës së Futbollit në vitin 1888 dhe Premier Leagues në vitin 1992. Ende gëzon mbështetje të zjarrtë dhe pritet të zhvendoset në një stadium të ri të nivelit të lartë vitin e ardhshëm, megjithëse tifozët kanë frikë se në këtë stadium ekipi do të luaj në nivelin e dytë, me perspektivën e rënies nga elita për herë të parë që nga viti 1951. Moshiri thotë se mbetet i përkushtuar ndaj Evertonit.
“Klubi nuk është në shitje, por unë kam folur me investitorë për të na ndihmuar t’i bëjmë gjërat mirë”, tha Moshiri para tifozëve të Evertonit.
Kjo duket se nuk po iu pëlqen tifozëve, të cilët po protestojnë kundër tij dhe po kërkojnë që Moshiri të nxjerrë në shitje shumicën e aksioneve që i posedon në klub.
“Nuk po e shet klubin, thjesht po sjell më shumë ekspertizë në aspektin e sponsorimit global, në aspektin e zhvillimit komercial. Kjo nuk do ta shpëtojë Evertonin nga rënia”, ka insistuar tifozi Keoghan.
Pas 20 ndeshjeve të luajtura deri më tani, Evertoni ka tubuar 15 pikë, sa i ka edhe skuadra e Southamptonit që renditet e fundit. Tri ekipet e fundit në tabelë, do të bien në Championship sezonin e ardhshëm.