Lionel Messi është përjetësuar në Argjentinë në homazhe që variojnë nga tatuazhet te muralet, pasi udhëhoqi përfaqësuesen argjentinase drejt triumfit në Kupën e Botës “Katari 2022”. Tani fytyra e tij mund të shihet edhe nga qielli - në një fushë misri të projektuar posaçërisht. Fusha në Los Condores në provincën qendrore të Kordobas u mboll duke përdorur një algoritëm që llogariste se ku do të duhej të mbilleshin farat, në mënyrë që kur misri të rritej të krijonte një imazh të madh vizual të fytyrës me mjekër të Messit.
“Për mua Messi është i pamposhtur”, tha Maximiliano Spinazze, fermeri i të korrave që mbolli formimin e pazakontë të misrit si një festë për fitoren e Argjentinës, kupa e saj e parë botërore që nga Diego Maradona kur i udhëhoqi ata drejt lavdisë në vitin 1986. “Tani ata janë kampionë të botës, jam i kënaqur që kjo mund të shprehet edhe duke mbjellë të korrat”.
Vendi i Amerikës së Jugut, i çmendur nga futbolli, është një prodhues i madh bujqësor, eksportuesi i tretë më i madh global i misrit. Bujqësia është shtytësi kryesor i eksportit të saj, megjithëse futbolli mund të jetë pretendimi kryesor për famë. Carlos Faricelli, një inxhinier bujqësor, krijoi kodimin për makinat që mbjellin farat, të cilave u mundësoi të mbillnin në një model të saktë për të krijuar imazhin përfundimtar të fytyrës së Messit, me zona të caktuara më të dendura me fara se të tjerat.
“Kisha idenë të bëja një kod që shkon në mbjellës me fytyrën e Messit”, tha ai, duke shtuar se më pas e kishte vënë kodin në dispozicion për çdo fermer që “që guxonte ta mbillte atë”.
Duke përdorur mjete gjeo-kodimi, makineria e di se sa farë për metër katror duhet të vendosë në vende të caktuara për të krijuar kontrastin për pjesë të ndryshme të fytyrës së Messit, tha Faricelli.
“Kështu që, kur ky misër rritet dhe bëhet një shkrepje ajrore, ku bimët janë më afër njëra-tjetrës dhe toka është më pak e dukshme, një gjelbërim më intensiv bie në kontrast me atë ku ka më pak bimë dhe më pas krijohet ky lloj arti bujqësor”, u shpreh ai. “Jam i lumtur që fytyra e Messit do të jetë në fushat tona të misrit”.
Messi, jo vetëm që udhëhoqi Argjentinën drejt këtij suksesi të madh në Katar, por edhe u shpall lojtari më i mirë i turneut, ku shënoi shtatë gola në po aq ndeshje të luajtura. Në finalen e Botërorit, Argjentina e mposhti Francën me penallti.