Ardon Jashari do të vazhdojë ta bartë shiritin e kapitenit te skuadra e Luzernit të paktën deri në fund të këtij edicioni. Kështu ka insistuar drejtori sportiv i klubit zviceran, Remo Meyer. Ai ka theksuar se mesfushori Jashari nuk largohet nga ekipi gjatë afatit kalimtar të janarit, pavarësisht ofertave të shumta.
Ekipi nga Premier League, Leeds Unitedi, pastaj Celticu i Skocisë dhe Middlesbrough i Championshipit anglez, janë prej atyre që zyrtarisht kanë shprehur interesim për Jasharin. Për kartonin e tij ishin gati të ofronin mbi pesë milionë euro dëmshpërblim, por ofertat janë refuzuar nga drejtuesit e Luzernit. Qëndrimin te Luzerni e ka konfirmuar edhe Jashari, i cili po krahasohet me mesfushorin e Anglisë, Jude Bellingham për lojën që shfaq në fushë.
“Kam dëgjuar për këto spekulime, por nuk ka asgjë të vërtetë. Unë jam i lumtur që jam kthyer dhe po stërvitem me ekipin. Për mua, pa pikë dyshimi, fokusi është te Luzerni dhe dua të përgatitem sa më mirë dhe mos të kem ndonjë lëndim këtë sezon. Nuk është koha tani për të lëvizur”, tha Jashari të enjten për radion zvicerane “Pilatus Today”.
Edhe pse është vetëm 20 vjeç, Jashari vlerësohet ndër futbollistët kyç të Luzernit, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2026. Te Luzerni nuk e paramendojnë përfundimin e këtij kampionati pa Jasharin në ekip.
Remo Meyer nuk ka dashur të flasë për shifrat që ekipet e tjera i kanë ofruar për kartonin e Jasharit, pasi është fokusuar te qëndrimi i mesfushorit deri në fund të edicionit.
“Momentalisht nuk mendoj se është reale që të ketë një transferim të Ardonit në këtë periudhë dimërore. Nga njëra anë kemi idetë tona të qarta për shumën e transferimit. Nga ana tjetër, shitja duhet të jetë e përshtatshme edhe për lojtarin në aspektin sportiv”.
Jashari ishte pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës në Kupën e Botës “Katari 2022”, ku u eliminua në 1/8 e finales nga Portugalia. Ai pati vetëm një paraqitje të shkurtër në Katar.
Jashari është zhvilluar si lojtar te Luzerni, ndërsa pjesë e ekipit të parë është prej fillimit të vitit të shkuar. Këtë edicion ai ka katër asistime në 15 paraqitje në Superligën e Zvicrës, ndërsa i ka të luajtura edhe dy ndeshje në kupë. Aktualisht Luzerni po përgatitet në Marbella të Spanjës përpara vazhdimit të kampionatit në Zvicër.
Ndeshjen e parë kampionale Luzerni e luan më 21 janar në shtëpi kundër skuadrës së Zuerichut. Aktualisht Luzerni zë vendin e gjashtë në tabelë me 20 pikë.
“Prej vendit të dytë deri në vendin e dhjet, gjithçka është e hapur dhe e mundur. Nëse kemi një seri të mirë, atëherë mendoj se mund të përfundojmë në top-katërshe”, ka shtuar drejtori sportiv, Meyer.