Mesfushori Arijan Ademi ka bërë të ditur se do të vazhdojë të luajë për Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ndonëse më herët ka pasur raportime për tërheqjen e tij.
Futbollisti i Dinamo Zagrebit nuk ka luajtur për Maqedoninë e Veriut që nga muaji mars i vitit të shkuar. Pas ndeshjeve të plejofit për kualifikim në Botërorin “Katari 2022”, ku Maqedonia e Veriut mposhti Italinë në gjysmëfinale për të pësuar nga Portugalia në finale, Ademi nuk ka qenë pjesë e ekipit.
Gjatë tërë kësaj kohe, Ademi nuk është ftuar për shkak të shëndetit, lëndimeve dhe ritmit të madh të ndeshjeve.
31-vjeçari është pjesë e Maqedonisë së Veriut prej vitit 2014 dhe deri më tani ka shënuar katër gola në 28 paraqitje.
“Kam vendosur të vazhdoj të luaj për përfaqësuesen, pasi dua dhe mund ta bëjë. Gjithashtu, kam folur edhe me trajnerin, i cili më dëshiron në ekip. Është vështirë t’i them lamtumirë, pasi jem një grup i mirë dhe luajmë për vendin tonë. Jemi kualifikuar në Evropianin e fundit dhe tani sërish duam ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Ademi.
Kualifikimet për Evropianin 2024 nisin në muajin mars, ndërsa Maqedonia e Veriut është në një grup me Anglinë, Italinë, Ukrainën dhe Maltën.
“E kemi parasysh se do të jetë vështirë, por ne kemi mposhtur Gjermaninë dhe Italinë dhe nuk kemi frikë”.
Ademi është kapiten i Dinamo Zagrebit, ndërsa këtë edicion ka tri gola në 11 paraqitje.